Mjekja shqiptare Rubjona Xhani që punon në spitalin e Comos në Itali në një lidhje me Skype me emisionin Repolitix u shpreh se situata në vendin fqinj agravoi për dy shkaqe, ndërsa paralajmëroi se kulmi i të prekurve do të jetë në fund muajit mars.
“Situata është dramatike. Nga ana politike nuk u morën menjëherë masat e duhura, ato ndryshuan vazhdimisht duke u bërë më të rrepta që të izolohet Lombardia tamam.
Kjo marrje e lehtë e masave krijoi përhapje e virusit. Kryeministri jonë, Conte u përball me këtë situatë, dhe nuk pati mbështetje nga forcat e tjera dhe kjo krijoi përçarje dhe në popull pati mosbesim.
Ana tjetër është civile, qytetarët nuk u ndërgjegjësuan shumë që në fillim dhe për dy javë është pritur por bashkëpunimi i njerëzve nuk erdhi nga të gjithë”, tha ajo.
Por a janë masat që janë marrë efikase?
‘Numri është gjithmonë në rritje dhe presim që të rritet më shumë. Masat që janë marrë kanë ndryshuar nga dita në ditë dhe sot po shohim efektet e masave që janë marrë 2 javë më parë që ishin më të lehta, ato që janë marrë sot, efektet do i shohim në vijim, Kulmi pritet në fund të muajit mars dhe fillim të prillit.
Jam neurologe dhe jam përfshirë në ato spitale që kanë marrë përsipër rastet. Te spitali që punoj po merret me urgjencat neurologjike. Sistemi italian në veri mbetet më të mirët absolut. Nuk besoj se do të kishte shtet tjetër që do ta përballonte më mirë se kaq.
Problem ishte numri i lartë i rasteve, 12 mijë pacientë janë shumë. Situata pritet që të jetë akoma më kritike’. Në Shqipëri ka një debat për maskat, por cfarë lloji përdoren në sistemin shëndetësor italian?
“Kolegët që përballen me rastin përdorin maskat fp1, fp2 fp3 i mbrojnë nga personat e infektuar, veshje një përdorimshme” tha ajo.