Shërbimi i inteligjencës në Gjermani e vendosi një pjesë të partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), nën mbikëqyrje të vazhdueshme, për shkak të, siç u tha, kërcënimit për rendin demokratik.
Vendimi ka në shënjestër krahun Flugel, një grup i AfD-së që ka fuqi të madhe në Gjermaninë lindore.
Flugel udhëhiqet nga Bjorn Hocke, një ligjvënës kontrovers nga shteti Tyringen.
Shërbimi i inteligjencës BfV e përshkroi Flugel-in si organizatë ekstremiste dhe tha se ky fraksion ka rreth 7,000 anëtarë ose 20 për qind të anëtarëve të AfD-së.
Mbikëqyrja është një çështje shumë e ndjeshme në Gjermani, ku shumë njerëz kanë kujtimet e spiunazhit abuziv nga kohërat e komunizmit dhe nazizmit.
Hocke prej kohësh është akuzuar për retorikë nxitëse kundër Islamit dhe migrantëve.
AfD dhe veçanërisht Flugel janë kritikuar ashpër edhe për të shtënat e 19 shkurtit në Hanau, ku një person i armatosur, i nxitur nga motivet raciste, ka vrarë nëntë veta në dy bare.
Ai më pas ka vrarë nënën e tij dhe veten.
Shefi i BfV-së, Thomas Haldenwang, u tha gazetarëve të enjten se ekstremistët e djathtë janë përgjegjës për mbi 200 njerëz të vrarë në Gjermani, qysh në vitin 1990.