Në Shtetet e Bashkuara, në çdo orë, më saktë në çdo minutë, rritet lista zinxhir e bizneseve të të gjitha sektorëve që mbyllen me afat të papërcaktuar. E njëjta gjë po ndodh pothuajse kudo, në Spanjë, Francë, Gjermani, Itali, apo Shqipëri, përpos dyqaneve ushqimore, farmacive, apo të tjera biznese që konsiderohen thelbësore.
E kundërta po ndodh në Kinë – të gjitha dyqanet po fillojnë të rihapen dhe madje bëhet fjalë për “shpenzimet e hakmarrjes”, fjalë për fjalë, shpenzime për hakmarrje (kjo e fundit referuar virusit). 85% e 3.600 argjendarive më të mëdha kineze, rrjeti zinxhir “Chow Tai Fook Jewellery Group” është rihapur. Normalisht, me disa masa më shumë – maska për punëtorët, doreza apo ruajtje distancash. Ajo që vihet re është se jashtë çdo dyqani ka radhë të madhe njerëzish që presin. E njëjta gjë vlen edhe për brandin luksoz Chanel. Ndërsa dyqanet në Itali dhe në shumë shtete të tjera janë mbyllur, në Kinë janë rihapur dhe edhe në këtë rast, të dielën janë parë radhët e para.
Revista “China Daily” publikoi një artikull që fliste për gjendjen pas karantinës. Titulli kryesor ishte “Lista e dëshirave të Rimëkëmbjes”. Në vendet e para ishin: të shkosh në restorant, të udhëtosh, të martohesh dhe të bësh shopping (çuditërisht kjo e fundit jo e para në radhë). Nga ana tjetër, “China Skinny”, një kompani marketingu dhe strategjish shumë e njohur në Kinë, parashikon një rimëkëmbje “shpërthyese” të sektorit të turizmit, vendas dhe të huaj, bazuar në atë që ndodhi pas përfundimit të emergjencave nga virusi Sars, në 2003.
Sheryl Shen, menaxher për marketingun në “China Skinny”, I intervistuar nga “China Daily”, kujton se gjatë “Javës së Artë” të Tetorit të 2003, numri I fluturimeve u rrit me 200% krahasuar me një vit më parë. Për Festivalin e Pranverës në 2004, rritja ishte 201%, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2003, një muaj para shpërthimit të virusit Sars.(Ilsole24ore, scan)