Të dhënat tregojnë se në Itali, ku vdekjet janë 2.158 dhe të prekurit mbi 23.000, ritmi i përhapjes së koronavirusit është stabilizuar, në mos po vjen në rënie. Shifrat e fundit kanë ndezur një fije shprese: numri i infektimeve nuk po rritet më në masën që druheshin mjekët.
Edhe në Lombardi, rajoni më i goditur nga koronavirusi në vend, përqindja nuk është në rritje të lartë. Nga ana tjetër ka më shumë të shëruar, siç e pohoi shefi i mbrojtjes civile, Angelo Borrelli. Problemi është se ka njekohesisht një shtim të pacientëve të shtruar në terapi intensive: 179 më tepër, që e çon në 1.851 totalin në të gjithë vendin.
Autoritetet mendojnë se piku i sëmundjes mund të jetë të dielën, e shpresojmë që nga ai moment të nisë fashitja e sëmundjes. Por ata sërish paralajmërojnë se me shumë gjasë, gjendja nuk do të zgjidhet dot përfundimisht përveçse me vaksinë.
Italia mbetet shteti më i goditur pas Kinës, e ndjekur nga Irani, Spanja dhe Franca. Koreja e Jugut ka përcaktuar disa provinca në juglindje të cilat janë goditur rëndë nga COVID-19 si “zona të veçanta katastrofash”, gjë që i hap rrugë mbështetjes financiare të tyre dhe marrjes së masave për lehtësimin e situatës.
Emërtimi zakonisht rezervohet për zonat e prekura nga tajfunët, përmbytjet dhe katastrofat e tjera. Autoritetet në Madrid thanë se do të marrin masa të ngjashme me Italinë gjatë izolimit për dy javë të vendit vendit. Kryeministri Spanjoll Pedro Sanchez tha se do të lejohen daljet nga shtëpia vetëm për të blerë ushqime dhe ilaçe, për të shkuar në punë, për të siguruar kujdes shëndetësor ose për të ndihmuar fëmijët apo të moshuarit. Gjermania vendosi gjithashtu të mbyllë kufijtë me Austrinë, Francën dhe Zvicrën duke nisur prej ditës së hënë.