Në një letër dërguar Bashkimit Europian në fund të shkurtit, Greqia e paraqiste veten si viktima ideale e pandemisë, duke theksuar se sistemi shëndetësor i vendit fqinj ishte gjymtuar nga shkurtimet fiskale dhe zakonet sociale të të jetuarit jashtë dhe largimit të profesionistëve. Duke thënë se Greqia kishte mjedisin ideal për përhapjen e një virusi, ekspertët parashikonin një shkallë të lartë të të infektuarive, që do të tejkalonin kapacitetet e spitaleve, duke çuar në një shkallë vdekshmërie shumë të lartë.
Por të gjitha parashikimet ranë poshtë. Midis vendeve të prekura, Greqia duket se është nga ato që ka reaguar më së miri. Pse? Ndoshta merita ishte e frikës dhe alarmit që shkaktoi përhapja e koronavirusit në Itali.
Kryeministri Qiriakos Mitsotaqis ka qenë i kujdesshëm në të gjitha masat e marra. “Shkalla e përhapjes së virusit është relativisht inkurajuese”, tha ai në një intervistë në CNN. Të paktën njëherë, Greqia po i jep një mësim liderëve të Europës.
Greqia ka deri më tani 83 viktima nga Covid-19 dhe 1884 të infektuar. Në raport me popullsinë, kjo është një përqindje shumë e ulët. Në Holandë ka 1122 të infektuar çdo 1 milion banorë, në Gjermani 1200, në Austri 1400, në Belgjikë 1447, ndërkohë që në Greqi ka vetëm 163.
Ditët e çmuara të avantazhit
Rasti i parë i Covid-19 në republikën helene u zbulua më 27 shkurt, gjashtë ditë pas rastit të parë në Itali. Por në vend që të priste viktimat e para, Athina vendosi mbylljen e shkollave dhe ndalimin e aktiviteteve publike. Qeveria greke nisi të zbatonte masa për distancimin shoqëror, përpara se numri i infeksioneve të ishte shumë i lartë për t’u frenuar.
“Shkollat tona – tha Kryeministri Mitsotakis – ishin të mbyllura para se të kishim viktimën e parë. Në shumicën e vendeve të tjera kjo ndodhi një ose edhe dy javë më vonë, ku numri i viktimave kishte arritur me dhjetëra”.
Eksperti grek Filippos Filippidist thotë nga ana tjetër se Greqia ishte, në një farë kuptimi, me fat që të dëshmonte dramën në një vend, si Italia.
“Athina e pa nga afër të që ndodhi në Itali. Europa nuk e ka marrë seriozisht krizën sepse e pa nga larg. Por për të gjithë grekët, drama në Ital ishte e pamundur të nënvlerësohej. Kështu që qeveria reagoi shpejt dhe në mënyrë më efektive sesa shumica e partnerëve europianë”, thotë ai.
Por ajo që ndihmoi po ashtu ishte edhe fati i mirë. Greqia izoloi në kohë shpërthim e mundshëm të sjellë nga pelegrinët që ktheheshin nga Lindja e Mesme, duke karantinuar të gjithë tragetin, por merita kryesore u shkon vetë grekëve, të cilët, pa parë njerëz që vdesin rreth vetes, ishin në gjendje të respektonin rregullat e imponuara nga qeveria.
“Rezistoni deri pas Pashkëve”
Në Patras, e vetmja shkelje e bllokimit ka ndodhur për paradën e Karnavaleve, por ato u mbajtën ditët e para të izolimit dhe si duket virusi nuk kishte mbërritur akoma. Në mesin e vëzhguesve ka edhe nga ata që i heqin meritat qeverisë dhe argumenton se përmbajtja e epidemisë ishte më e thjeshtë edhe për shkak të densitetit të ulët të popullatës greke.
Në realitet, megjithatë, në Athinë dhe qytete të tjera të mëdha, njerëzit grumbullohen në bare dhe tavolina në natyrë si dhe ndoshta më shumë se në çdo qytet tjetër europian.
Për Nënsekretarin e Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias, pika e kthesës do të jetë pas Pashkëve. Ai thotë se drita do të shihet në fund të tunelit nëse njerëzit arrijnë të shmangin mbledhjet familjare gjatë festave.