Gonxhe Feri Radoniqi, nga Mitrovica, thotë se çdo vit gjatë muajit të Ramazanit ka shkuar në xhami për të bërë lutjet e mbrëmjes-taravitë. Por, kjo gjë nuk ka ndodhur këtë vit pasi që xhamitë në tërë Kosovën janë mbyllur si shkak i pandemisë COVID-19.
“Mua më ka munguar shumë xhamia pasi që lutja e taravisë është një lidhje e veçantë me zotin e cila ka ndikim pozitiv në qetësinë shpirtërore, ndërsa për këtë kohë të izolimit kjo gjë është e nevojshme”, ka thënë ajo.
Ajo thotë se nuk e ka të qartë se pse Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ende e konsideron të rrezikshme hapjen e xhamive përderisa masat janë duke u lehtësuar.
“Unë mendoj se mund të lutemi në xhami nëse mbajmë distancë prej dy metrash larg njëri tjetrit, nëse vendosim maska dhe dorëza dhe para hyrjes dhe daljes të dezinfektohet vendi ku lutemi, si dhe çdokush të ketë sexhden e tyre personale,” thotë Radoniqi.
Ajo shpreson që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë dhe Bashkësia Islame e Kosovës të mundësojnë që qytetarët të kryejnë namazin e Bajramit më 24 maj, duke respektuar masat e sigurisë.
Kosova në fazën e dytë
Në Kosovë më 18 maj ka filluar faza e dytë e lehtësimit të masave të cilat janë vendosur pas shfaqjes së koronavirusit. Trafiku i qytetit është i hapur, gjithashtu edhe kafeteritë dhe restorantet, por vetëm me shërbimin “merre me vete”, tregtia është hapur në nivel të vogël, por edhe trajnimet sportive janë lejuar. Ndërsa, faza e tretë fillon më 1 qershor.
Bashkësia Islame po ndjek këshillat e ekspertëve
Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur se ekspertët thonë se ende nuk janë krijuar kushtet për hapjen e xhamive, dhe për këtë arsye ato nuk do të jenë të hapur as për Bajram të dielën më 24 maj. Ata thonë se hapja e xhamive mund të ndodhë në fillim të qershorit.
Një grup besimtarësh së fesë islame, të pakënaqur me vendimin e Bashkësisë Islame në Kosovë që xhamitë të hapen në fillim të qershorit, kanë organizuar të martën faljen në qendër të Prishtinës, në Sheshin Skënderbeu. Ata kanë kërkuar nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë që xhamitë të hapen.
Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rreziku ende nuk ka kaluar dhe se këshillat e institucioneve duhet të respektohen.
“Besojmë që me 1 ose 2 qershor do t’i hapim xhamitë,” ka thënë Bajgora. Ai shtoi se besimtarët e kanë kuptuar që situata nuk është akoma e mirë për të bërë lutjet në xhami.
“Lutja në xhami është një detyrim për të adhuruar krah për krah. Kjo është arsyeja pse ne nuk kemi dashur t’i vëmë në rrezik besimtarët tanë që të falen në vende të mbyllura ku ka shumë njerëz. Do të presim deri në fillim të qershorit. Ky është qëndrimi ynë të cilin nuk do ta ndryshojmë,” theksoi Bajgora, duke shtuar se as Bajrami nuk do të falet nëpër xhamitë e Kosovës.
Sa i përket protestës në shesh të një grupi besimtarësh, Bajgora deklaroi se është e drejtë e tyre, dhe se nuk bëhet fjalë për besimtarët të cilët vizitojnë xhamitë e Bashkësisë Islame.
“Dikush që falet me këpucë nuk është lutje, sipas rregullave që janë të detyrueshme për adhurim,” komentoi Bajgora.
Falënderime nga Instituti i Shëndetit Publik
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka falënderuar Bashkësinë Islame të Kosovës dhe të gjithë besimtarët për respektimin e masave për mbylljen e përkohshme të xhamive, gjë që parandaloi përhapjen e koronavirusit.
“Pra ne nuk i kemi ndalur lutjet. Lutjet janë bërë për çdo qytetar dhe besimtar, kudo që ata gjenden dhe kanë mundur në kushte të veçanta. Prandaj para zotit jemi falur, sepse nuk kemi mundur ndoshta në institucionet e Bashkësisë Islame, por aty ku kemi mundur aty i kemi kryer gjitha lutjet”, ka thënë Ramadani në një konferencë për media të martën në Prishtinë.
Në krahasim me Kosovë, xhamitë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje e Hercegovinë janë hapur, duke respektuar masat e mbrojtjes dhe distancën.
Numri i të infektuarve në Kosovë ka filluar të bie. Të martën është raportuar për vetëm 1 rast me koronavirus, ndërsa të hënën tre dhe të dielën shtatë.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë nga koronavirusi është 1,003 persona ndërsa të shëruar janë 772 dhe të vdekur janë 29.