Ftesa e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, për një takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, është shndërruar në temë diskutimesh në Kosovë dhe në Serbi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë me Zërin e Amerikës tha se pret njohje të ndërsjellë nga procesi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe se takimi në Shtëpinë e Bardhë është mundësi e artë që nuk duhet shmangur.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik, tha se qeveria e tij i ka të përcaktuara parimet mbi të cilat mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë.
“Së pari: integriteti territorial është i panegociueshëm. Unë nuk kam mandat të hap këtë temë në procesin e dialogut. Së dyti: karakteri unitar i shtetit të Kosovës. Unë po ashtu, nuk kam mandat të bisedoj për këtë çështje. Së treti: marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Objektiva jonë është njohja reciproke, njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk na kanë njohur, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe shfuqizimi i rezolutës 1244″, tha ai.
Vuçiç: Me kushte të tilla, përfaqësuesit e Kosovës më mirë të mos vijnë fare në takim.
Në Beograd, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se kushtet e tilla të kryeministrit Hoti, janë të papranueshme për Serbinë.
“Ekzistojnë pesë kushte, pesë gjëra për të cilat Avudllah Hoti ka folur sot dhe të gjitha, të pestat janë të papranueshme për ne. Nëse është kjo platforma me të cilën Hoti do të vijë në bisedime, Hoti apo Thaçi, cilido, sepse ne nuk përzihemi në zgjedhjet e tyre, njerëz më mirë mos ejani askund”, tha ai duke nënvizuar se nuk e di se çfarë çështjesh do të shtrohen në tryezën e bisedimeve.
“Serbia është e vogël që ta komandojë Shtëpinë e Bardhë, mirëpo është mjaft e madhe që të guxojë të tregojë se cilat janë qëllimet dhe interesat e saj dhe se çfarë qëllimesh mundet, dëshiron dhe duhet t’i mbrojë”.
Kosova pa bashkërendim ndërmjet pushtetit dhe opozitës
Kryeministri Hoti, ka ftuar ndërkaq udhëheqësit e partive politike në vend për një takim të enjten me qëllim që të bashkërendimit të qëndrimeve në procesin e bisedimeve me Serbinë.
Takimi është refuzuar tashmë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga lëvizja Vetëvendosje.
Ish kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që drejton lëvizjen Vetëvendosje tha se “dialogu duhet të udhëhiqet nga përfaqësues legal dhe legjitim e jo nga këta që kanë kontrabanduar pushtetin duke rrëzuar qeverinë e mirë dhe demokratike të zgjedhur nga populli. Prandaj, zgjedhjet janë të domosdoshme dhe të pashmangshme për një qeveri legjitime e kredibile të dialogoj dhe të arrij një marrëveshje të qëndrueshme e afatgjate”.
Komentet e tij u bënë nëpërmjet një njoftimi të lëvizjes Vetëvendosje pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, i cili në ditën e dytë të vizitës u takua më përfaqësues të partive politike.
“E vazhdova ditën e dytë me një diskutim përmbajtjesor dhe shumë të mirë me udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurti. Theksova nevojën që Kosova të flas me një zë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Çfarëdo marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për popujt e përfshirë”, shkroi zoti Lajcak në rrjetin social twitter.
Kryesia e parlamentit të Kosovës, kërkoi të mërkurën ndërkaq nga kryeministri Hoti të raportojë në një seancë të posaçme lidhur me bisedimet me Serbinë. Kryetarja e parlamentit, Vjosa Osmani, tha pas mbledhjes së kryesisë se një gjë e tillë duhet të ndodhë para 27 qershorit.
“Me vendim unanim të anëtarëve unë do t’i drejtohem kryeministrit që ai t’i raportojë kuvendit para se të niset për në Washington duke pasur parasysh rëndësinë e qasjes së dialogut dhe rolin mbikëqyrës që ka kuvendi e po ashtu detyrimin që e ka qeveria që t’i raportojë kuvendit për çështje të politikës së jashtme”, tha zonja Osmani.
Takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë, përkon më ripërtëritjen e përpjekjeve të Bashkimit Evropian për rifillimin e bisedimeve të pezulluara që në vjeshtën e vitit 2018.
Nuk ka ndonjë bashkërendim në mes të Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për këtë proces, por vëzhguesit thonë se këto angazhime paraqesin një zhvillim të ri që mund të lëvizë gjërat nga vendnumërimi.
Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.(VOA)