Ndahet nga jeta mjeshtëri i valleve popullore Besim Zekthi. Lajmin e ka bërë me dije Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor
“Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë njofton ndarjen nga jeta të mjeshtrit të valles popullore mbarëshqiptare, “Nderi i Kombit” – Besim Zekthi. Artisti humbi betejën me një sëmundje të rëndë, në moshën 84 vjeçare, në shtëpinë e tij në Tiranë, rreth një orë më parë.” – thuhet në njoftim.
Për mjeshtrin e valles shqiptare, të pazëvendësueshmin, Besim Zekthi ka reaguar edhe kryeministrin Edi Rama.
“LAMTUMIRË KËRCIMTARIT LEGJENDAR, BESIM ZEKTHI 💔”, shkruan kryeministri në Facebook.
Kush ishte Besim Zekthi?
Besim Zekthi lindi më 5 shkurt 1936 në Tiranë, kërcimtar, mjeshtër i valles popullore shqiptare, solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dizhonit në Francë në vitin 1970.
Nga viti 1957 deri në vitin 1990, “Mjeshtri i madh” – Besim Zekthi interpretoi në mbi 200 valle si solist, duke realizuar me qindra figura artistike, të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë adhuruesve të tij, në mbarë brezat shqiptarë. Karriera e tij shënon kulme suksesi jo vetëm në trevat shqiptare, por anekënd botës, ku me Ansamblin Popullor të Këngëve e Valleve, Besiz Zekthi “i dha zë e shpirt” valles dhe muzikës tone tradicionale.
Jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën artisike të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, jo vetëm si valltar, por një seri vallesh janë krijuar prej tij dhe sot interpretohen me sukses nga artistët e AKVP, si pjesë e fondit të artë të trashëgimisë tone kulturore.
Ndër to mund të përmendim: “Valle me motive të Lapardhasë”, “Valle e Librazhdit”, “Valle e Shengjergjit”, “Valle e Leskovikut”, “Valle me motive të Çermenikës”, “Valle e Konispolit”, “Valle lave”, :valle e Kuksit”, “Valle me motive të Prizrenit”, “Valle me motive të Krujës”, “Për flamur, për atdhe”, “ Dasma e Rugovës”, “Valle me motive të Drenicës”, “Gju më gju me popullin”, “Valle mzeqare”, “Vjelja e mollëve”, etj.
Në vitin 2017 për të gjithë kontributin e tij artistik, në më shumë se 50 vjet në Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve, por dhe më gjerë, Besim Zekthi u dekorua nga Presidenti i Republikës z. Ilir Meta, me titullin “Nderi i Kombit”.