André Schürrle, kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014, ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli profesionist në moshën 29-vjeçare.
Sulmuesi i Borussia Dortmund, i cili ka luajtur muajt e fundit i huazuar te Spartaku i Moskës, theksoi se po e lë futbollin në moshë të re për arsye personale.
Në një intervistë për “Der Spiegel”, Schürrle kritikoi ashpër edhe botën e futbollit profesionist: “Kisha kohë që po e mendoja tërheqjen. Momentet e këqija bëheshin edhe më të këqija, ndërsa momentet e mira po rralloheshin gjithmonë e më shumë. Që të mbijetosh në elitën e futbollit duhet të plotësosh disa norma, nëse nuk i plotëson humbet punën dhe nuk e rifiton dot më. Nuk ka vend për ndjeshmëri dhe dobësi në futboll”.
Gjithësesi, gjermani është mirënjohës për të ardhurat që ka fituar nga futbolli dhe mbi bazën e të cilave pranon se do ta ketë të lehtë që të rindërtojë jetën e re.
André Schürrle, gjatë karrierës së tij, ka luajtur me Mainz, Leverkusen, Chelsea, Wolfsburg, Dortmund, Fulham dhe Spartak.