Vështirësia në frymëmarrje nuk duhet të neglizhohet. Kjo pasi kjo simptomë mund të jetë tregues i sëmundjes që në gjuhën mjekësore njihet si edema pulmonare. Nëse nuk trajtohet në kohë, edema pulmonare mund të shkaktojë ndërlikime të shumta në mushkëri. Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në krijimin e edemave në mushkëri, si mosfunksionimi si duhet i zemrës, veshkave, traumat e ndryshme, mbipesha, infeksionet e mushkërive, etj. Në vijim të shkrimit mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita” se cilat janë shkaqet më të shpeshta që çojnë në krijimin e edemave në mushkëri, simptomat dalluese të sëmundjes, ekzaminimet për diagnostikimin e hershëm, si dhe këshillat që duhet të ndjekim për parandalimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje. Sa i takon trajtimit të sëmundjes, mjekja thekson se është e rëndësishme që fillimisht të gjendet shkaku nga se ka ardhur, për të përcaktuar më pas trajtimin më efikas që pacienti duhet të ndjekë.
Çfarë është edema pulmonare dhe kur ndodh?
Edemë në përgjithësi do të thotë enjtje. Kjo ndodh zakonisht kur lëngu nga brendësia e enëve të gjakut depërton jashtë enës në hapësirën e indeve përreth, duke shkaktuar enjtje (edemë). Kjo mund të ndodhë për shkak të presionit të rritur në brendësi të enëve të gjakut, ose për shkak të pamjaftueshmërisë së proteinave në nivelin e gjakut, të cilat bëjnë të mundur mbajtjen e lëngut në brendësi të enëve të gjakut. Në rastin kur kjo edemë ndodh në zonën e mushkërive, atëherë flasim për edemë pulmonare. Zona jashtë enëve të vogla të gjakut në mushkëri është e zënë nga alveolat, të cilat janë qese shumë të vogla të mbushura me ajër. Pikërisht, në nivel të alveolave bëhet shkëmbimi i gazeve që do të thotë thithja e oksigjenit që vjen nga ajri dhe lëshimi i dioksidit të karbonit që lëshon organizmi. Alveolat normalisht kanë një mur të hollë që bën të mundur këtë shkëmbim gazesh, por që edhe shërbejnë si barrierë për lëngjet, përveçse kur muret e humbin integritetin e tyre. Edema pulmonare (mushkërore) ndodh pikërisht kur alveolat mbushen me lëngun e tepërt që del nga enët e gjakut në vend të ajrit.
Çfarë problemesh mund të shkaktojë edema pulmonare?
Kjo mund të shkaktojë probleme në shkëmbimin e gazeve (oksigjen dhe dioksid karboni), duke rezultuar në oksigjenim të dobët të organizmit tonë dhe në vështirësi të frymëmarrjes. Edema pulmonare mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm. Ajo mund të lidhet me dështimin e punës së zemrës (insuficienca kardiake) e quajtur si: edemë pulmonare kardiogjene, ose mund të jetë e lidhur me shkaqe të tjera (jashtë zemrës) e referuar në këtë rast si: edemë pulmonare jo-kardiogjene.
Cilat janë simptomat kryesore klinike të edemës pulmonare?
Simptoma kryesore klinike e edemës pulmonare është vështirësia në frymëmarrje. Kjo mund të ketë fillim gradual, nëse procesi i edemës zhvillohet ngadalë, por mund të ketë fillim të menjëhershëm në rastin e edemës pulmonare akute. Simptoma të tjera mund të përfshijnë lodhjen e lehtë, përshpejtim të frekuencës së frymëmarrjes (tachypnea) gjatë sforcimeve fizike (në krahasim me situatën e mëparshme), mund të kemi marramendje, ose edhe dobësi të përgjithshme.
Çfarë e shkakton edemën pulmonare?
Siç e theksuam edhe më lart, edema pulmonare mund të jetë kardiogjene dhe jo-kardiogjene. Shkaqet kardiogjenike të edemës pulmonare rezultojnë nga presioni i lartë në enët e gjakut të mushkërive si rezultat i punës së dobët të zemrës. Dështimi i punës së zemrës për shkak të funksionit të dobët të pompimit të zemrës (që rrjedh nga shkaqe të ndryshme si aritmia, sëmundje apo dobësi të muskulit të zemrës), për shkak të dëmtimit të valvulave të zemrës, mund të çojë në grumbullimin e një sasie më të madhe gjaku se normalisht në enët e gjakut të mushkërive. Kjo, mund të shkaktojë që lëngu nga enët e gjakut të shtyhet në drejtim të alveolave, ndërkohë që presioni vjen duke u rritur. Në rastin e edemës pulmonare jo-kardiogjenike si shkaktarët më të shpeshtë mund të rendisim sindromin akut të stresit respirator, me të cilin kuptojmë një gjendje potencialisht serioze të shkaktuar nga infeksione të rënda të mushkërive, trauma, plagosje në mushkëri, përdorimi i kokainës, rrezatimi në mushkëri. Në këto raste bëhet i mundur dëmtimi i mureve alveolare duke rezultuar përfundimisht në mbushjen me lëng të tyre, pra në gjendje edematoze. Shkaktar tjetër i shpeshtë mund të jetë dështimi i punës së veshkave (insuficienca renale). Në këtë rast veshkat janë të paafta të largojnë lëngjet e tepërta nga organizmi ynë, duke rritur kështu presionin në enët e gjakut dhe për pasojë të kemi zhvillimin e edemës pulmonare. Në pacientët me sëmundje të avancuara të veshkave mund të jetë e nevojshme dializa për të larguar lëngjet e tepërta nga organizmi. Po ashtu shkaktarë mund të jenë ngjitjet e shpejta në lartësi të mëdha (ndryshimet e shpejta të presionit atmosferik), traumat e trurit, hemorragjia e trurit, rrallëherë edhe mbidoza e heroinës dhe metadonit.
Si diagnostikohet kjo patologji?
Sa i përket diagnostikimit të edemës pulmonare do të mjaftonte një radiografi e thjeshtë e kraharorit. Për bërë përcaktimin e origjinës së edemës pulmonare, përveç një ekzaminimi fizik të kujdesshëm të pacientit dhe një historie të hollësishme të sëmundjes, padyshim që nevojiten ekzaminime më të thelluara mjekësore. Është mjeku specialist ai që përcakton se cilat ekzaminime të tjera duhet të bëni për të vendosur diagnozën e saktë të kësaj sëmundjeje.
Si mund të parandalohet edema pulmonare ?
Sa i përket masave parandaluese, varësisht nga shkaku i edemës pulmonare, mund të merren disa masa. Së pari, duke qenë se shkaktarë kryesorë janë sëmundjet e zemrës lind si masë kryesore profilaktike, parandalimi afatgjatë i sëmundjeve te zemrës (sidomos i sulmeve akute të zemrës siç është infarkti). Duhet të jenë të shpeshta kontrollet e zemrës sipas protokolleve, tensionit të gjakut, nivelit të yndyrnave në gjak. Gjithashtu këshillohet që të shmangni duhanin, alkoolin e tepruar. Duhet të kujdeseni për reduktim të mbipeshës, si dhe të ushtroheni rregullisht me aktivitet fizik. Po ashtu, duhet mbajtur në kontroll edhe puna e veshkave. Gjithashtu, ngritja e ngadaltë drejt lartësive, ose shmangia e mbidozimit të drogës mund të konsiderohet gjithashtu si masë parandaluese.
Po në lidhje me trajtimin e saj çfarë mund të këshillojmë?
Lidhur me trajtimin e edemës pulmonare është e rëndësishme që fillimisht të gjendet shkaku nga se ka ardhur dhe më pas mund të përcaktohet edhe trajtimi i duhur që pacienti duhet të marrë. Tabletat diuretike (që nxisin urinimin) janë të rëndësishme në largimin e lëngjeve të tepërta nga organizmi. Në rastin e infeksioneve te rënda të mushkërive lind nevoja e përdorimit të antibiotikëve (kur origjina është bakteriale) ose e antiviralëve (kur origjina është virale). Duhet të bëni kujdes që antibiotikët të përdoren vetëm sipas përshkrimeve të dhëna nga mjeku që po ndjek ecurinë tuaj shëndetësore. Në rastin e insuficiencës renale mund të lindë nevoja e dializës. Duhet theksuar, se në rastin e zhvillimit të edemës pulmonare pacientët kanë nevojë për oksigjen pasi niveli i oksigjenit në organizëm është i ulur (kemi hypoxi).
Mos neglizhoni:
Kryerjen e kontrolleve të shpeshta mjekësore.
Mbajtjen nën kontroll të sëmundjeve të zemrës.
Monitorimin e presionit të lartë të gjakut dhe yndyrat në gjak.
Trajtimin e dëmtimeve të veshkave.
Duhet të shmangni duhanin, alkoolin e tepruar.
Kujdesuni për reduktim të mbipeshës.
Ushtroheni rregullisht me aktivitet fizik.
Ngjisni me ngadalë lartësisë, etj.