Miliona amerikanë do të votojnë me postë ose personalisht për presidentin e ardhshëm të SHBA-ve. Të paktën një votë do të hidhet rreth 200 milje mbi Tokë. Astronautja Kate Rubins, e cila po përgatitet për t’u nisur në mes të Tetorit për një qëndrim 6 mujor pritet të votojë nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës.
“Unë mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme për të gjithë që të votojnë. Nëse ne mund ta bëjmë atë nga hapësira, atëherë unë besoj se njerëzit mund ta bëjnë atë edhe nga toka.”, tha austronautja Rubins për The Associated Press.
Ligji i Teksasit i lejon austronautët të votojnë nga hapësira duke përdorur një votim të sigurt elektronik. Kontrolli i Misionit e përcjell fletën e votimit në stacionin hapësinor dhe e transmeton fletën e përfunduar përsëri te nëpunësi i qarkut.
Astronautët e regjistruar për të votuar në Teksas morën të drejtën e votës nga hapësira në 1997, kur ligjvënësit vendosën që ata mund të dërgonin votën e tyre në mënyrë elektronike jashtë planetit nëse do të ishin në një fluturim hapësinor gjatë periudhës gjatë ditës së zgjedhjeve. David Wolf ishte i pari amerikan që votoi nga hapësira në 1997, të njëjtin vit kur u miratua ligji. xh.d/abcnews.al