Barazim spektakolar në “San Siro” mes Milanit dhe Romës. Gjashtë gola, dy penallti dhe në fund 3-3, me të dy skuadrat që morën nga një pikë. Tre herë në avantazh ishin kuqezinjtë e Stefano Piolit, por verdhekuqtë ia dolën të reagonin dhe barazonin takimin. Marash Kumbulla gjeti golin e parë në Serie A me Romën pas atij të shënuar në Europa League.
Vendasit e nisën ndeshjen me golin e Zlatan Ibrahimovic, i cili shfrytëzoi një asist shumë të bukur të Leao në minutën e dytë. Ekipi i Fonsekës barazoi në minutën e 14-t me anë të Edin Dzekos dhe fraksioni nuk dhuroi më gola.
Tjetër asist i Leaos në minutën e dytë të pjesës së dytë dhe finalizim i Saelemaekers. Minuta e 71-të solli një penallti për Romën dhe Veretout nuk gaboi përballë Tatarusanut. Momente emocionuese dhe lojë e hapur në mitikun “San Siro”.
Tjetër penallti tetë minuta më vonë dhe Ibrahimovic riktheu kryesuesit sërish në avantazh. Goli i dytë për 39-vjeçarin dhe i gjashti në kampionat për këtë sezon. U duk se Milani siguroi fitoren, por Marash Kumbulla nuk e kishte thënë akoma fjalën e fundit. Mbrojtësi nga Malësia e Madhe shfrytëzoi një goditje këndi në minutën e 84-t dhe barazim 3-3.
Koha po mbaronte, por djemtë e Piolit ia dolën të krijonin dy raste të tjera të rrezikshme, me Kessie dhe Romagnoli që nuk e gjetën dot rrugën e rrjetës. Përfundimisht barazim, Milani në krye me 13 pikë, ndërsa Roma mban vendin e nëntë me 8 pikë. /abcnews.al
Serie A, java e pestë
Milan-Roma 3-3
(Ibrahimovic 2′, 79′ (pen), Saelemaekers 47′ / Dzeko 14′, Veretout 71′ (pen), Kumbulla 84′)