Nga Rexhep Rifati
Lamtumir profesoresha jonë e parë e shqipes në Normalen e Ferizajt: Drita Begraca, pinjollë e Derës së Sylejman Vokshit
Ne ishe nxënësit e gjeneratës së parë të Normales së Ferizaj, pardje humbëm edhe një mësimdhënëse dhe edukatore shembullore në ish- Normalen e Ferizajt: Drita (Vokshi) Begracën. Profesoreshën tonë të nderur, Drita Begracën patëm nderin ta kemi mësimdhënëse të gjuhës shqipe qysh në vitin shkollor 1961/62, kur kjo shkollë u hap vetëm me 125 nxënës.
Kjo ndarje do të le shumë zbrazësi, ndonëse e gjithë gjenerata kanë kaluar të 70-tatë, sepse profesoresha Dritë, përkundër gjendjes së rënduar shëndetësore ishte me ne edhe atëherë kur kishte kaluar më tepër se gjysmë shekulli, kur ajo na kishte dhënë mësim.
Në shenjë nderim për profesoreshën, në pamundësi bashkë me shokë që ti jepnim lamtumirën e fundit, po jap një kolazh fotografish në shenjë nderimi e për këtë figurë të rrallë si njeri e atdhetare, aq më parë edhe si pinjollë i derës së madhe Vokshi të Gjakovës. Me këtë rast të afërmeve të profesoreshës Dritë edhe në emër të gjeneratës i ngushëllojmë ngushëlloj thellësish, përshi këtu edhe nxënësen e më të mirë të gjeneratës sime Hanumshahe Ilazi, e cila vazhdimisht tregoi kujdes ndaj profesoreshës sonë, derisa jetonte në Prishtinë.
Ja edhe ca fjalë për rrugëtimin jetësor që nga lindja deri me kalimin në amshim: Drita (Vokshi) Begraca u lind me 27 shtator 1938 në Tiranë, në një familje mesatarisht të pasur intelektuale e patriotesh të dalluar që nga Sylejman Vokshi, Beqir Vokshi (Asim, Dergut e Miftar Vokshi). Axhallarët dhe babai i saj e gjer tek vëllai, Shefqeti dhe djemtë e tij, morën pjesë në luftën e fundit.
Nga Tirana, babën e saj e transferuan ne Kosovë, sepse ishte me akademi ushtarake te kryer ne Itali dhe i nevojitej Kosovës për atë kohë. Drita, shkollën fillore, dy klase, i kreu në Prizren (ku shërbente babai i saj), e dy ne Prishtinë, ku u kujdes dhe e rriti halla Sabrije (Bije) Vokshi, pas vrasjes së babait. Aty ne Prishtinë kreu Gjimnazin e Ulët dhe Gjimnazin e rregullt. SHLP – grupin e Gjuhës Shqipe e kreu ne Shkup, ku pas diplomës vazhdoi fakultetin gjithashtu te Gjuhës Shqipe, ku i dha të gjitha provimet. E dha edhe provimin e fundit sllavistikën – duhej të merrej diploma, të cilën kurrë nuk e pranoi sepse në atë i shkruante profesoreshë e sllavistikës – Gjuhë serbe.
Pasi e kishte diplomën e SHLP filloi të punojë, së pari në Gjakovë , pastaj në Studeniçan afër Shkupit, në Kaçanik dhe në Ferizaj në Normale 6 vite. Nga Ferizaj shkoi në Prishtinë ku punoi në shkollën e Mjekësisë, por si e papërshtatshme për regjimin titist e larguan nga shkolla. Gjithnjë ligjëronte lëndën e gjuhës dhe Letërsisë shqipe. Pasi që e larguan nga shkolla e Mjekësisë më vonë as që kërkoi punë, sepse ishte e përndjekur. Ndërsa që bashkëshorti i saj, doktor Mehmet Begraca punonte dhe ligjëronte ne Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Për meritat e kësaj veteraneje të arsimit, Presidentja e Kosovës e dekoroi me titullin “Medalja Presidenciale e meritës”., ndërsa qyteti i Ferizajt e dekoroi me mirënjohje për punën e palodhur shumë vjeçare në procesin arsimor.
Drita (Vokshi) Begraca, dje u nda nga më të afërmit e saj në varrezat e Gjakovës, por fati e deshi që shkaku i situatës pandemike të mungojnë edhe nxënësit e saj, por që do të vazhdojë të jetojë për jetë në kujtesën e tyre, derisa edhe ata do ti bashkohen një ditë.