Nga Kimete Berisha
Nuk e di sa ‘portale për gra’ janë sot në Kosovë dhe të kujt janë e kush i financon që ta poshtërojnë dhe kompleksojnë gruan shqiptare për pamjen e saj.
Është e pabesueshme, lëre meshkujt, por edhe vet revista që thirret dhe flet në emër të grave të Kosovës sabah e aksham nuk bën gjë tjetër veç se i numëron qimet e zbardhura të flokëve të grave dhe i shikon me zmadhues rrudhat e tyre!
Pse gjithë kjo vuajtje shqiptare për estetikë. Pa bukë rrimë, pa hijeshi jo.
Titujt:
– Ish rrudhë filan këngëtarja. Më në fund e pranoi pleqërinë.
– Po duket keq fistekja, e zbehtë, a thu pse, mos është sëmurë’;
– Sa e shëmtuar duket vajza e X politkanit?
O Zot a është e mundur gjithë kjo shëmti?
– ‘Shkurte Fejza më e shkurtër se burri i saj’.
(Në vend se ta propozojnë për Presidente, se e meriton, merret gazeta me shtikllat e saj).
– Sa e vjetër duket gruaja e ‘atij’ këngëtarit;
– Shikojeni se sa keq duket reja e këngëtares;
– I ka tre fëmijë, por belin për tre kollana;
– E pabesueshme se si nuk i ka hije shtatëzania ‘asaj’;
– Njëra trupin ‘peshk’;
– Kush u bëri sehire vellezërve Berisha që u ndanë nga gratë;
– Ajo duket e re por nuk është;
– Kjo duket e vjetër por është e re;
– Ja politikanja që e la burri për një bukuroshe;
– Aktorja që s’ka fat në dashuri, ende beqare!
– Ja kush është vajza që u zhduk nga shtëpia dhe dyshohet se u dhunua ne mal;
– Kurrë, ama kurrë nuk ndodh një herë që të merren me pamjen e meshkujve, me kritika ndaj burrave, apo me shpirtin dhe dijen e vajzave e grave, por ekskluzivisht merren veç me pamjen e grave.
– Gazeta për gra duhet ta luftoj llukizmin, përparësinë e tmerrshme që kanë femrat seksi sot në punësim dhe kudo, dhe diskriminimin e femrave natyrore, modeste dhe normale;
duhet të angazhojë shkrime autoriale të psikologëve për shërimin e frikës së tmerrshme të gruas së sotme nga rrudhat, trashja, pleqnia, vetmia dhe braktisja, model ky i krijuar me shekuj nga burrat (edhe të letërsisë), burrat e modës dhe burrat e pushtetit.
Jo kështu, nuk shkon kështu.
– Pse duhet t’i kompleksoni vajzat?
– Pse e krahasoni bukurinë! Çfarë Hegeli je ti që e di ‘kush është më e bukur se kush’ dhe kur është ‘tamam bukuri’!
– Pse mos me pas rrudha si ti? Pse ia lejon vetes rrudhat, e gruas jo!
– Pse sipas shqiptarëve gruaja nuk bën m’u plakë?
– Pse duhet me qenë gjithmonë në formë, dhe pse mos me lshu fronin nëse atje ‘poshtë ‘ku bora e zë borën’ e ku këmba zbret nga shtiklla
e shkel në tokë, ndjehet më mirë!
– Pse mos me qenë topolake, e trashë?
– Pse mos m’u bë asht e lëkurë?
– Pse mos m’u dukë e lodhur kur je e lodhur?
– Pse mos m’u dorëzu?
– Pse mos me pas qejf me vdek?
– S’e kuptoj pse nga gruaja shqiptare kërkohet të jetë e përkryer!
Dhe e pathyeshme!
Gruaja vazhdimisht dhe vullnetarisht bie në këtë grackën e garës së bukurisë. Intuitivisht ndjen sikur je e obliguar, e detyruar të dukesh bukur.
A ka gjë më të dhimbshme sesa që zbukurohesh e rrjepesh për t’u dukur ‘e bukur’ bishave!
As mashkulli që vet është ‘i padokshëm’, e që s’mundohet për së gjalli, ty nuk ta toleron shëmtinë! Pra vetes ia lejon ‘beterizmin’ por ty Jo!
– Ne duhet të kemi të drejtë të dukemi keq!
– Mirë është m’u duk bukur, por çka me ba kur s’je e bukur oj gazetë!
Me dal me hup a çka!
– Mburret mashkulli shqiptar, ‘e kam femrën ‘copë’, e ti vet a je far ‘cope mashkulli’, a jo’?
‘Jo. S’jam. Mua më lejohet të jem i padokshëm.
Se jam mashkull’.
Jo rastësisht e folmja e shqipes e ka shprehjen ‘e padokshme’ për dikë që s’ka hijeshi, do me thënë është ‘e padukshme’ nuk ekziston’.
Do herë bile thuhej për çika ‘dokë s’ka’, por për këto tjerat, s’i afrohet ‘kush.
– Gruaja do të duket për vete e bukur-kaq e pakuptueshme është kjo filozofi.
Gratë nuk kërkojnë nga burrat bukuri, këtu është gabimi, por dhurojnë bukuri kurrë pa pushuar.
As vet kurrë s’kam kërkuar ‘bukuri’ te burrat, dhe kam gabuar.
Dhuroni bukuri dhuroni, o zonja!
Kjo është ajo gracka e pafund!
Bukuria s’ka fund, por çmendurinë e gjen rrugës duke u përpjekur të dukesh e përkryer.
Sepse, të jesh e përkryer do të thotë të jesh e vetmuar.
– Keq m’u duk’ bukur se nuk të marrin seriozisht-Keq mos m’u duk bukur se bëhesh ‘e padokshme’, s’të shohin.
– Kështu ndodh kur edhe ‘Revista për gra’ në Kosovë është mashkull.
S’e qite q’atë fytyrë ta shohim qysh po dukesh ti, o mashkull.
S’guxon.
P.S. ‘Me tana duhet m’u pajtu, çika jem’-
Thënie nga Nana ime, Fahrija ❤️