Ballina Bota 2 mijë faqet e marrëveshjes BE-Britani në pikat më të rëndësishme

2 mijë faqet e marrëveshjes BE-Britani në pikat më të rëndësishme

Pavarësisht nga mosmarrëveshjet e mëdha gjatë viteve të kaluara, Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe morën frymë të lehtësuara të enjten pasi më në fund arritën të gjenin gjuhën e përbashkët, një marrëveshje mes tyre postBrexit.

Por, cilat janë pikat kryesore të marrëveshjes BE-BM prej 2 000 faqesh?

TREGTIA

Ndërsa BM zyrtarisht largohet nga tregu i vetëm i BE, marrëveshja përcakton se asnjë tarifë dhe asnjë kuotë nuk do të vendoset për mallrat. Sidoqoftë, kontrollet doganore potencialisht do të vonojnë proceset në kufi.

Kjo vlen për të gjitha mallrat që përputhen me rregullat e origjinës; kjo është për të parandaluar që produktet nga vendet e treta që nuk kanë një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE të hyjnë në bllok përmes BM për të anashkaluar tarifat dhe kuotat.

UDHËTIMI

Do t’i takojë BM të përcaktojë nëse qytetarët e BE që vijnë për qëndrim të shkurtër në vend do të duhet të përmbushin kërkesat për vizë.

“Aktualisht, BM parashikon udhëtime pa viza për vizitat afatshkurtra në lidhje me shtetasit e të gjitha shteteve anëtare”, sipas qeverisë britanike. BE do të vazhdojë të trajtohet si një bllok për qëllime vizash.

Udhëtarët afatshkurtër të biznesit nga BM mund të vizitojnë bllokun për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore, sipas qeverisë britanike.

Udhëtarët – për shembull turistët – do të mbulohen ende nga një skemë e ndërsjellë e kujdesit shëndetësor në rast emergjence.

STANDARDET E MJEDISIT DHE PUNËS

Në marrëveshjen përfundimtare, asnjëra palë nuk është e detyruar nga rregullat e tjetrës mbi standardet mjedisore ose shoqërore, por të dy janë angazhuar për parimet e përgjithshme të fushës së lojës.

Nëse njëra palë ndjen se tjetra po e vë veten në avantazh duke ulur standardet, ajo mund të apelojë tek një panel i pavarur arbitrazhi – thelbësisht për britanikët, por jo Gjykata Europiane e Drejtësisë (GJED) – i cili mund të japë të drejtën për të vendosur sanksione.

Sipas qeverisë britanike, të dy palët ranë dakord të mos ulin standardet e tyre të punës për mbrojtjen e punëtorëve “në një mënyrë që ka një efekt te tregtia”.

NDIHMA SHTETËRORE

Të dy partnerët tregtarë do të kenë rregullat e tyre të pavarura të subvencionit – por nëse njëra palë mendon se subvencionet janë shtrembëruese ose të dëmshme për industritë e veta, ajo mund t’i sfidojë ato masa përpara një mekanizmi të pavarur të arbitrazhit, me mundësinë e vendosjes së kompensimit.

Kjo ka qenë një pikë thelbësore për BE, e cila ishte shqetësuar se nëse BM do t’i jepej hyrje e lirë në tregun e bllokut, ajo mund të minonte konkurrencën nëse nuk vendoseshin standarde të rrepta të subvencionit.

PESHKIMI

”Kjo ishte një nga pjesët më të vështira të marrëveshjes”, tha një zyrtar i BE, i cili shtoi me humos se ”negociatorët shqyrtuan marrëveshjen rresht më rresht dhe peshk më peshk”.

Për një periudhë tranzicioni deri në qershor 2026, BE do të mbajë 75% të kuotave të saj të peshkimit në ujërat britanike, duke transferuar një të katërtën në industrinë britanike të peshkimit. Kjo rritje e madhe për palën britanike vlen 198 milionë dollarë për pesë vjet, sipas qeverisë britanike.

Prej atëherë e tutje, do të ketë negociata vjetore mbi kuotat e kapjes dhe aksesin midis Britanisë dhe BE, siç bën blloku tashmë me disa fqinjë.

Zonat e sakta janë në diskutim.

JO-të NË MARRËVESHJE

Ndërsa marrëveshja është e gjerë, rreth 2 000 faqe, disa pjesë janë lënë jashtë.

Britania nuk do të marrë pjesë në programin e shkëmbimit të studentëve Erasmus.

Nuk është rënë dakord për një kornizë për bashkëpunim mbi politikën e jashtme ose mbrojtjen.

HAPAT E ARDHSHËM

Më 31 dhjetor, periudha e tranzicionit postBrexit mbaron, pas së cilës BM nuk do të jetë më pjesë e tregut të vetëm të bllokut dhe unionit doganor – por marrëveshja ende duhet të ratifikohet nga të dy palët.

Londra ka bërë thirrje për një sesion të posaçëm parlamentar më 30 dhjetor.

Ambasadorët e BE diskutuan për këtë, por Këshilli i Bashkimit Europian ende ka nevojë që unanimisht të pajtohet me të.

Parlamenti Evropian gjithashtu duhet ta nënshkruajë atë dhe, pasi që ka të ngjarë që kjo të ndodhë vetëm vitin e ardhshëm, një aplikim i përkohshëm është i nevojshëm.

Komisioni Europian sugjeron që ajo periudhë e përkohshme të zgjasë deri më 28 shkurt.