Maqedonia e Veriut prej një jave po shënon rënie të numrit të të infektuarve me COVID-19, por edhe të viktimave nga kjo sëmundje.
Ministria maqedonase e Shëndetësisë raportoi se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur gati 500 të infektuar ndërsa u kryen 2,500 teste. Kjo është shifra më e ulët prej ditësh.
Sipas deklaratës së ministrisë, përqindja e numrit të rasteve thuajse është përgjysmuar në krahasim me periudhën e para dy javëve: nga më shumë se 40% në më pak se 20%. Bilanci ditor i viktimave ishte 17, edhe kjo një shifër në rënë krahasuar me periudhën e kaluar, kur numri i viktimave varionte nga 30 deri ne 40 në ditë.
Autoritetet thonë se ulja e fuqisë së koronavirusit është rezultat i masave të ndërmarra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Pavarësisht kësaj megjithatë, ministria bëri thirrje për respektimin e masave që janë në fuqi, sidomos gjatë festave të fundvitit, me qëllimin të parandalohet shfaqja e ndonjë vale të re infektimesh.