Ballina Bota Analiza ANALIZA: A ka të ardhme rendi liberal ndërkombëtar?

ANALIZA: A ka të ardhme rendi liberal ndërkombëtar?

Nga Joseph S.Nye Jr., National Interest

I përballur me një qeveri të ndarë dhe me një publik të polarizuar, Joe Biden do të ketë një liri të kufizuar në politikën e brendshme, por më shumë hapësirë ​​për inovacion në politikën e jashtme. Por gjithsesi, një pjesë e mirë e agjendës së tij do të trashëgohet nga administrata Trump.

Politika e fuqisë së madhe është këtu për të qëndruar, dhe fuqia e Kinës po rritet. Fatmirësisht, Azia e ka ekuilibrin e saj të brendshëm të fuqisë, dhe ndërsa shumë vende duan qasje në ekonominë në rritje të Kinës, ato e mirëpresin gjithashtu një prani amerikane të sigurisë, për të ruajtur pavarësinë e tyre.

Ruajtja e aleancave të SHBA-së me Japoninë, Korenë, Australinë dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Indinë, është një yll polar i politikës së jashtme amerikane. Po kështu po rikthen marrëdhëniet e ngushta me Evropën dhe besimin në NATO.

Pyetjet më të vështira lindin mbi strukturën institucionale të rendit botëror, ku Trump ishte presidenti i parë që nga viti 1945, që e vuri në dyshim rendin ndërkombëtar liberal amerikan. A duhet që Biden të përpiqet ta ringjallë atë, apo ajo është tashmë një relike e lashtë?

Rendi amerikan i pas vitit 1945 nuk ishte as global, dhe as gjithnjë shumë liberal. Ai la jashtë më shumë se gjysmën e botës (bllokun sovjetik dhe Kina), dhe përfshiu shumë shtete autoritare.

Hegjemonia amerikane, ka qenë gjithmonë e ekzagjeruar. Sidoqoftë, vendi më i fuqishëm duhet të udhëheqë në krijimin e të mirave globale publike, ose ato nuk do të sigurohen, dhe vetë amerikanët (ndër shumë të tjerë) do të vuajnë.

Pandemia aktuale është një shembull i fuqishëm, sikurse janë problemet e ndryshimit të klimës, mospërhapjes së armëve bërthamore, dhe një sistemi monetar të qëndrueshëm ndërkombëtar, vetëm sa për të përmendur disa.

Dhe nëse dikush e imagjinon agjendën e politikës së jashtme gjatë dekadës së ardhshme, këto çështje ka të ngjarë të jenë më të rëndësishme. Biden duhet të synojë forcimin e  institucioneve ndërkombëtare të bazuara në rregulla, pasi kjo është në interesin tonë kombëtar.

Por si përshtatet kjo me konkurrencën mes fuqive të mëdha? Përgjigja mund të qëndrojë tek anëtarësimet e ndryshueshme. Pas Luftës së Ftohtë, as Rusia dhe as Kina, nuk mund të ekuilibronin dot fuqinë amerikane, dhe Shtetet e Bashkuara në ndjekje të vlerave liberale, e tejkaluan konceptin e sovranitetit.

SHBA pushtoi Irakun pa miratimin e Këshillit të Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ndërsa bombardoi Libinë për të mbrojtur qytetarët e Bengazit. Rusia dhe Kina ndiheshin të mashtruara nga zhurma e unipolaritetit amerikan. Që atëherë, rritja e fuqisë kineze dhe ruse, i ka vendosur kufij më të rreptë ndërhyrjes liberale.

Rusia dhe Kina e vënë theksin tek norma e sovranitetit, që ishte parashikuar në Kartën e OKB së vitit 1945. Shtetet mund të hyjnë në luftë vetëm për vetëmbrojtje, ose me miratimin e Këshillit të Sigurimit. Marrja e territorit të fqinjit me forcë, ka qenë një dukuri e rrallë që nga viti 1945, dhe ka çuar në sanksione të kushtueshme sa herë që ka ndodhur (si me aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014).

Bashkëpunimi i kufizuar, është ende i mundur brenda OKB, për shembull në vendosjen e forcave paqeruajtëse në vendet e trazuara. Ndërsa bashkëpunimi politik ka kufizuar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Pra ka mbetur ky dimension i rëndësishëm i një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Edhe ne lidhje me marrëdhëniet ekonomike, shumë rregulla duhen rishikuar. Kapitalizmi hibrid shtetëror i Kinës, mbështet mbi një model të padrejtë tregtar, që e ka shtrembëruar funksionimin e Organizatës Botërore të Tregtisë. Rezultati do të jetë një prishje e pjesshme e zinxhirëve globalë të furnizimit, sa herë është në rrezik çështja e sigurisë.

Megjithëse Kina ankohet kur Shtetet e Bashkuara pengojnë kompani si Huauei të ndërtojnë rrjetet 5G në Perëndim, kjo qasje është në përputhje me sovranitetin dhe sigurinë që praktikon vetë Kina në lidhje me internetin.

Negocimi i rregullave të reja tregtare, mund të ndihmojë në parandalimin e kalimit në një proteksionizëm të shfrenuar. Njëkohësisht, ne mund të vazhdojmë bashkëpunimin në fushën thelbësore financiare. Gjithsesi, ndërvarësia ekologjike paraqet një pengesë të pakapërcyeshme për sovranitetin, pasi kërcënimet janë transnacionale, dhe u binden më shumë ligjeve të biologjisë dhe fizikës, sesa logjikës së gjeopolitikës bashkëkohore.

Çështje të tilla i kërcënojnë të gjithë, por asnjë vend nuk mund t’i menaxhojë i vetëm ato.

Për këto çështje, ne duhet të mendojmë gjithashtu në terma të ushtrimit të pushtetit me të tjerët sesa mbi të tjerët, diçka që shumë amerikanë e neglizhojnë. Ideologjia nuk është e rëndësishme. Marrëveshja e Paris por dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, na ndihmojnë ne dhe të tjerët.

Çështja më e vështirë për Biden do të jetë nëse Shtetet e Bashkuara dhe Kina mund të bashkëpunojnë në prodhimin e të mirave globale publike, teksa konkurrojnë në zonat tradicionale të rivalitetit të madh të fuqisë. A mund të mësojmë të menaxhojmë njëkohësisht bashkëpunimin dhe rivalitetin?

Hapësira kibernetike është një çështje tjetër e re, pjesërisht transnacionale, por që gjithashtu i nënshtrohet kontrolleve të qeverisë sovrane. Interneti tashmë është pjesërisht i fragmentuar. Normat në lidhje me fjalën e lirë dhe privatësinë në Internet, mund të zhvillohen vërtet midis një rrethi të brendshëm demokracish, por nuk do të respektohen nga shtetet autoritare.

Komisioni Global mbi Stabilitetin e Hapësirës Kibernetike, në të cilin unë isha anëtar, përshkroi një sërë rregullash që ndalojnë ndërhyrjen në strukturën themelore të Internetit, të cilat janë gjithashtu në interesin e shteteve autoritare nëse duan lidhje.

Por kur ata përdorin palë të treta për të ndërhyrë në zgjedhje (gjë që shkel sovranitetin), normat do të duhet të përforcohen nga rregulla të tilla, si ato që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik negociuan gjatë Luftës së Ftohtë (pavarësisht armiqësisë ideologjike mes tyre), për të kufizuar përshkallëzimin e incidenteve në det.

Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera që ndajnë të njëjta ide dhe vlera, do të duhet të shpallin normat që ata synojnë të mbështesin, ndërsa do të jetë i nevojshëm edhe politika e parandalimit. Dhe vendet liberale do të duhet të marrin pjesë plotësisht në organe si Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, për të mos ia lënë në dorë Kinës vendosjen e standardeve.

Një sondazh i fundit i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale, tregoi se publiku amerikan dëshiron të shmangë ndërhyrjet ushtarake, dhe ato që Trump i quajti “luftëra të pafundme”, por jo të tërhiqet nga aleancat tona ose bashkëpunimi shumëpalësh. Dhe publiku ende interesohet për vlerat.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kritikojnë shkeljen e të drejtave të njeriut në vendet me regjime autoritare. Dilema me të cilën përballet Biden, nuk është nëse do të rivendosë rendin liberal ndërkombëtar. Por nëse Shtetet e Bashkuara mund të punojnë me një bërthamë të brendshme vendesh aleatëve për të promovuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ndërsa bashkëpunojnë me një grup më të gjerë shtetesh, për të menaxhuar rregullat e bazuara në institucionet ndërkombëtare, të nevojshme për të përballuar kërcënimet transnacionale si ndryshimi i klimës, pandemitë, sulmet kibernetike, terrorizmi, dhe paqëndrueshmëria ekonomike. A mund të mësojë Amerika të menaxhojë një “rivalitet bashkëpunues”? /Përktheu: Alket Goce-abc

Shënim: Joseph S. Nye, është profesor në Universitetin e Harvardit, dhe autor i librit “A ka rëndësi morali? Presidentët dhe politika e jashtme amerikane, nga Roosevelt tek Trump”.