Nga Ana Palacio, Project Syndicate
Disa vite mezi përmenden në librat e historisë; të tjerët përshkruhen në kapituj të tërë.
Sigurisht që viti i fundit mund të përfshihet në këtë të fundit, dhe nuk ka asnjë dyshim se pandemia e Covid-19, ashtu si pandemia e Gripit Spanjoll të viteve 1918-20, do të mbahet mend gjatë.
Por ajo që e bën këtë vit vërtet të jashtëzakonshëm, nuk është mënyra se si ai u shpalos, por më tepër mënyra se si e ndryshon botën. Një vit anomal, pas të cilit bota i rikthehet biznesit shumë më ndryshe se sa zakonisht. Pra ishte një vit që po sjell një transformim të madh, dhe që shënon fillimin e një epoke të re njerëzore.
Si do mbahet mend ky vit? Bota mori këtë sezon festash bekimet e shkencës moderne, me zhvillimin në kohë rekord të vaksinave efektive anti-Covid, që premtojnë t’i japin fund një pandemie që deri më tani ka vrarë më shumë se 1.7 milion njerëz, dhe ka shkaktuar krizën më të rëndë ekonomike në breza.
Por nxitimi nga ana e qeverive të vendeve të pasura për të siguruar doza të mjaftueshme për qytetarët e tyre, kërcënon ta zgjasë agoninë për botën në zhvillim. Ka një arsye të mirë për të menduar se bota ka ndryshuar këtë vit në një mënyrë të pakthyeshme.
Në veçanti, ngjarjet e 12 muajve të fundit, mund të kenë shkaktuar një riformatim dhe ri-balancim thelbësor të marrëdhënies midis shtetit dhe shoqërisë, sidomos në demokracitë liberale perëndimore. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, modelet shoqërore dhe ekonomike të demokracive perëndimore, janë bërë gjithnjë e më të paekuilibruara.
Tregjet e lira, që dikur shiheshin si një mjet i fuqishëm për forcimin e demokracisë liberale (duke krijuar një klasë të mesme, që i kërkon të drejtat e veta), janë tani një qëllim më vete, një ideal që duhet mbështetur, pa marrë parasysh koston. Dhe kostot kanë qenë të larta.
Ashtu siç kërkonte ortodoksia e tregut të lirë, globalizimi solli kontrolle më të lira të kapitalit, kufij më të hapur, privatizim në shkallë të gjerë, dhe zvogëlim të rregullave. Qeverisja evoluoi në një përpjekje më të kufizuar, teknike, dhe me aktorët privatë gjithnjë e më me ndikim që u futën në role publike.
Kësisoj, korporatat u bënë disa nga lojtaret më të fuqishme globale, ndërsa qeveritë e kanë pasur gjithnjë e më shumë të vështirë për t’i taksuar dhe disiplinuar ato. Në disa zona jetike- nga përhapja e keqinformimit në mediat sociale tek qëndrueshmërinë e mjedisit – korporatat në thelb janë lënë ta vetë-rregullojnë veprimtarinë e tyre.
Ka pasur ndërkaq edhe një impuls për të rikthyer mbikëqyrjen. Megjithatë kjo nuk vjen nga shteti, por nga aktorë të tjerë. Nga perspektiva e shumë qytetarëve të zakonshëm, edhe pse pabarazia është rritur, qeveria është sjellë gjithnjë e më shumë si një ofruese e shërbimeve private në dekadat e fundit.
Pasojat e krizës financiare globale të vitit 2008 – kur qeveritë ndoqën kryesisht masa gjysmake për të mbështetur sistemet financiare, dhe për të parandaluar një tjetër kolaps – e shkatërruan idenë se demokracia liberale është një garantuese automatike e stabilitetit dhe prosperitetit.
Ndërkohë, Kina e promovoi më tej modelin e saj konkurrues, me një shtet të fortë qendror të ndërthurur me tregun, duke krijuar bazën për betejën e sotme globale të ideve. Nga “tërmeti’ i krizës financiare, u ngrit një valë populizmi dhe nativizmi, që përfshiu pjesën më të madhe të Perëndimit.
Me pabarazinë që vazhdon të rritet, dhe me përpjekjet e pakta që janë bërë për të rregulluar marrëdhëniet midis qytetarit dhe shtetit, besimi tek institucionet u zvogëlua, ndërsa u shtuan dhe kërkesat për ndryshime rrënjësore, shpesh me natyrë reaksionare.
Megjithatë, gjatë pandemisë së Covid-19, shteti është rikthyer. Kur ekonomitë ngecën në vend, qeveritë kanalizuan shuma të mëdha parash publike drejt rritjes së industrisë private, dhe kufizimit të pushimeve nga puna. Në Evropë, ndërhyrjet në nivel kombëtar u mbështetën nga fondi i paparë prej 750 miliardë eurosh, në formën e fondit të rimëkëmbjes nga pandemia.
Po ashtu për herë të parë në një brez, qeveritë e ringjallën impulsin e tyre rregullator, veçanërisht në lidhje me gjigantët gjithnjë e më shumë shtrembërues të Big Tech. Komisioni Evropian zbuloi kohët e fundit rregulloret historike – Aktin e Shërbimeve Dixhitale dhe Aktin e Tregjeve Dixhitale – për të kufizuar fuqinë e këtyre kompanive, teksa ka njoftuar planet për veprime të mëtejshme për të garantuar një konkurrencë më të ndershme.
Pandemia ka treguar se “dora e padukshme” e tregut, nuk mund të llogaritet si e sigurt për të ofruar të mira publike, dhe aq më pak për të mbrojtur interesin publik. Dora e dukshme e shtetit duhet të kontribuojë, përmes funksionimit të institucioneve efektive dhe qeverisjes së mirë.
Më thelbësisht, masat e shëndetit dhe sigurisë, janë një kujtesë e vazhdueshme fizike e pranisë së shtetit, e cila ka munguar kaq shumë në vitet e fundit. Disa e kanë përqafuar këtë ndërhyrje, duke njohur një përgjegjësi të përbashkët, ndërsa të tjerët kanë qenë kritikë.
Por që të gjithë janë të vetëdijshëm për rolin e qeverisë.
Ndjeshmëritë po ndryshojnë, dhe ky mund të jetë një themel për ndryshime më të gjera në modelin liberal-demokratik. Sigurisht, 2020-a mund të rezultojë një ndërprerje e përkohshme nga norma. Vaksinimi mund t’i japë fund pandemisë dhe njerëzit, korporatat dhe qeveritë mund të rikthehen në statuskuonë para-pandemike.
Në atë rast, pandemia do të mbahet mend si një tragjedi tjetër, e paharrueshme, e tmerrshme, por në thelb si një ngjarje e shkuar. Megjithatë, nëse ngjarjet e këtij viti do të nxitim një reflektim më të thellë mbi marrëdhëniet midis qeverisë dhe të qeverisurit, dhe sjellin një forcim të mirëfilltë të institucioneve liberal-demokratike, atëherë ky vit i tmerrshëm do të shihet si një pikë kthese. /Përktheu: Alket Goce-abc