Shkencëtari që zbuloi ebolën katër dekada më parë paralajmëron njerëzimin se mund të përballet me shumë viruse të reja dhe potencialisht fatale që dalin nga pyjet tropikale afrikane. Kësaj i shtohet rasti i një gruaje që shfaqi simptoma të etheve hemorragjike në një qytet të largët në Republikën Demokratike të Kongos.
Sipas CNN, gruaja në Ingende u testua për disa sëmundje, përfshirë ebolën, por të gjitha testet rezultuan negative. Kjo ndezi frikën se sëmundja e saj mund të jetë shkaktuar nga e ashtuquajtura ‘Sëmundja X’, një patogjen i ri “i papritur” që mund të përhapet me shpejtësi si sëmundja e koronavirusit (Covid-19) por 50-90% të shkallës së vdekshmërisë së ebolas. Pacientja që shfaqi simptoma të ngjashme me ebolën është shëruar që nga ajo kohë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se “Sëmundja X”, (X përdoret për të panjohurën), është hipotetike për momentin. Megjithatë, shkencëtarët dhe ekspertët e shëndetit publik i frikësohen shfaqjes së një sëmundjeje të tillë në të gjithë botën.
“Jetojmë në një botë ku do të shfaqen patogjenë të rinj. Dhe kjo përbën kërcënim për njerëzimin”, tha profesori Jean-Jacques Muyembe Tamfum, i cili ndihmoi në zbulimin e virusit ebola në 1976. Kur u pyet nëse ndonjë sëmundje e re mund të ishte më apokaliptike se Covid-19, ai tha: “Po, kështu mendoj”.
Muyembe, i cituar nga CNN, thotë se shumë sëmundje zoonotike, ose ato që kalojnë nga kafshët tek njerëzit, mund të shfaqen. Covid-19 është ndër ato sëmundje, së bashku me ethet e verdha dhe tërbimin, që mendohet se kanë ardhur nga kafshët.
Muyembe drejton Institutin Kombëtar të Kërkimeve Biomjekësore (INRB) në Kinshasa, i cili mbështetet nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe OBSH dhe laboratorët e tij janë sistemi i paralajmërimit të hershëm në botë për shpërthime të reja të sëmundjeve të njohura si ebola. “Nëse një patogjen shfaqet në Afrikë, do të duhet kohë për t’u përhapur në të gjithë botën. Pra, nëse ky virus zbulohet herët, do të ketë mundësi që Evropa të zhvillojnë strategji të reja për t’i luftuar këta patogjenë të rinj”, thotë ai për CNN.
SARS-CoV-2, virusi që shkakton sëmundjen e koronavirusit, dyshohet ta ketë origjinën në Kinë dhe “të dyshuarit” deri tani janë lakuriqët e natës. Ekspertët kryesisht ia kanë atribuar shpërthimin e sëmundjeve zoonotike shpyllëzimit që i ka tkurrur habitatet e kafshëve.
Covid-19 ka prekur deri tani 85 milionë njerëz në të gjithë botën, nga të cilët 1 843 143 kanë vdekur, sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins.