Edin Dzeko ka vendosur të largohet nga Roma. Sulmuesi boshnjak pati një sherr me trajnerin Fonseca disa ditë më parë. Ky i fundit i ka kërkuar të heqë dorë nga shiriti i kapitenit dhe të kërkojë ndjesë publike, por boshnjaku pretendon se është i pafajshëm dhe nuk ka ndërmend të tërhiqet.
Agjenti i tij, Alessandro Lucci po kontakton prej ditësh me shumë klube të ndryshme. Dzeko është 35 vjeç dhe përfiton 7.5 milion euro në sezon. Kualiteti i tij nuk vihet në dyshim, por të gjithë stepen për të investuar te një “plakush” në këtë periudhë krize ekonomike.
Interi dhe Juventusi kanë propozuar vetëm shkëmbime, por Roma kërkon para të thata. Barcelona e ka refuzuar, ndërsa Real Madrid ka propozuar shkëmbimin me Mariano Diaz. Dëshira e madhe e goleadorit ballkanas është Premier League.
Ëndrra e madhe është rikthimi në Angli te Manchester City, ekip me të cilin u aktivizua në vitet 2011-2015. Pep Guardiola kërkon një qendërsulmues, teksa agjenti i Dzekos po punon që të rikthejë lojtarin në Premier League.
West Ham është klubi i vetëm ishullor që ka paraqitur një interesim zyrtar për sulmuesin, por kalimi te “Çekiçët” nuk e bind Dzekon. Ky i fundit dëshiron një skuadër që lufton për trofe dhe garon në kompeticionet evropiane. Emri i fundit që ka dalë në skenë është Chelsea. /abcnews.al