Ballina Aktualitet Kosovë Pse nuk u bë publik takimi Rama – Kurti? Bojken Abazi: I...

Pse nuk u bë publik takimi Rama – Kurti? Bojken Abazi: I takonte Ramës, nuk i di arsyet pse nuk e bëri

“Di që ftesa ka ardhur nga Rama dhe Kurti ka mbajtur qëndrimin që në këtë vizitë bërjen publike të takimit ta bëjnë ata që e kanë pritur”. Këtë përgjigje dha kreu i Vetëvendosjes në Shqipëri, Bojken Abazi, i cili kandidon në qarkun e Tiranës si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit. Sipas Abazit, presidenti Meta dhe kreu demokrat Lulzim Basha e bënë publik takimin, por nuk di arsyet pse kryeministri Rama zgjodhi të mos e bëjë publik.

Duke komentuar vizitën e Kurtit në Shqipëri, Abazi theksoi se fitorja e tij në Kosovë ka sjellë edhe një valë entuziazmi në Shqipëri. Por sipas tij shqiptarët duhet të lëvizin vetë se shpëtimi nuk vjen vetëm nga Vetëvendosja.

“Këtë e shoh në disa fshatra të thellë të Përmetit dhe Gjirokastrës. Shumë qytetarë në Shqipëri po e përqafojnë si projekt duke ndjerë frymën e nacionalizmit progresist, i ndërthurur me modelin ekonomik. Shqiptarët e Shqipërisë duhet të lëvizin nuk do të na vijë shpëtimi nga anëtarët e Vetëvendosje, por është momenti që shqiptarët e lodhur në këto 30 vite, të përfshihen të kalojnë nga dëshira te vullneti”.

Ardhja e Kurtit në Shqipëri dhe mbështetja për kandidatët e Vetëvendosjes nuk është e re për politikanët në të dy anët e kufirit, por e reja sipas tij është që kjo po bëhet publike. Sipas tij çështjet e Shqipërisë janë edhe çështje të Kosovës dhe anasjelltas e Kosovës janë

“Politikanë të caktuar kanë mbështetur kandidatë të caktuar në të dy anët e kufirit. E reja është që ne po e bëjmë publikisht këtë gjë dhe nuk kemi gjë për të fshehur. Çështjet e Shqipërisë janë edhe çështje të Kosovës dhe anasjelltas nga ana tjetër, Kurti është nënshtetas i Shqipërisë”.

Sa i takon deklaratës së albin Kurti dje ën Tiranë se do të bashkëpunojë me të gjithë politikanët shqiptarë, Abazi theksoi se për liderin e Vetëvendosjes ka admirim dhe frikë.

“Për Kurtin ka admirim dhe frikë, admirim se VV për 16 vjet është shtypur në mënyrë të dhunshme nga regjimi në Kosovë deri te vrasja e aktivistëve. Nuk ka bërë kompromise, njerëzit nuk janë pasuruar në Vetëvendosje dhe kush e ka ndjekur e admiron, por kjo detyron dikë të shohë veten në pasqyrë dhe aty imazhi nuk del siç e kishte menduar dhe kjo mbase i tremb. Ekziston frika se mos rritemi më shumë se ç’duhet”.

Bojken Abazi tha se është në pritje të KQZ për zyrtarizimin e kandidaturës së tij në Qarkun e Tiranës./A2news