Ballina Bota Mbi 3 mijë infektime ditore, por të rinjtë grekë nuk pyesin, “party”...

Mbi 3 mijë infektime ditore, por të rinjtë grekë nuk pyesin, “party” në mes të Athinës (VIDEO)

Qindra njerëz pa maska ​​dhe pa distancë fizike këndojnë dhe dëfrehen me muzikë sikur të mos ketë nesër dhe sikur covid-19 të mos ekzistojë.

Situata e pabesueshme sipas mediave greke po ndodh tani në sheshin Kypseli, në Athinë, ku qindra njerëz janë mbledhur në një “party” në natyrë me një DJ, pa ndonjë masë mbrojtëse.

Kjo situatë vijon prej disa orësh ku turma injoron masat anticovid dhe kënaqet me muzikë dhe alkool në grupe të vogla dhe të mëdha të cilat nuk mbajnë asnjë distancë.

Sipas informacioneve në mediat greke, lajmi u njoftua në rrjetet sociale dhe të rinjtë nuk nguruan që të mblidhen.

Greqia vijon që të regjistrojë shifra të larta të infektuarish dhe viktimash nga koronavirusi. Në 24 orët e fundit, në vend u regjistruan 3,067 raste pozitive si dhe 91 raste fatale.

Sipas raportimit të autoriteteve shëndetësore në vend, numri i të intubuarve është 824.

Numri total i të infektuarve në Greqi shkon në 311,033, prej të cilëve 51.3% janë burra. Bazuar në rastet e konfirmuara në 7 ditët e fundit, 57 prej tyre janë të lidhura me udhëtime jashtë ndërsa 2,990 të tjera janë raste kontakti. Kurse, totali i viktimave në vend ka shkuar në 9,330, prej të cilave 95.5% kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese, dhe /ose kanë qenë mbi 70 vjeç./abcnews.al/