Ballina Aktualitet Protestat kundër digjitalizimit të librave, Ministria e Arsimit i sheh si absurde

Protestat kundër digjitalizimit të librave, Ministria e Arsimit i sheh si absurde

“Digjitalizimi i librave sjell probleme të reja në arsim, ndërsa fëmijët tanë nuk janë element eksperimenti”. Kjo ishte kryefjala e protestës kundër librave digjital. Fëmijë e prindër me libra në duar, para Ministrisë së Arsimit kërkojnë anulimin e vendimit për digjitalizimin e librave.

“Fëmijët tanë nuk janë eksperiment. Politika larg fëmijëve tanë, eksperimentet larg fëmijëve tanë. Shkatërruat themelin e sistemit arsimor, e tani po ndërtoni çatinë. Sot do të themi se është koha për ndryshime në sistemin arsimor, ndryshime rrënjësore që do të jenë në bazë të nxënësve”, u shpreh Dragana Spasevska nga iniciativa qytetare “Libra dhe mësim patjetër të ketë”.

Protesta u mbajtën edhe në qytete të tjera. Në Tetovë, para objektit të komunës, prindërit kërkojnë që për çfarëdolloj reforme që mund të bëhet në arsim , ministria të konsultohet me përfaqësues të prindërve dhe shoqërinë civile.

“Ishte i mjaftueshëm një vit e gjysmë mësim online në kohë pandemie që të tregojë dhe dëshmojë se kjo mënyrë nuk mund të funksionojë. Kërkojmë që librat si pikë e parë të mbesin në përdorin për të gjitha klasat në arsim fillor dhe të mesëm, të krijohen protokolle për mësim me prezencë fizike në kohë pandemie, që nga 1 shtatori 2021 nxënësit të kthehen në shkollë me prani fizike”, tha Arianit Xhaferi nga iniciativa qytetare “Libra dhe mësim patjetër të ketë”.

Edhe në Kërçovë, prindërit shfaqën revoltën për ndryshimet e paralajmëruara në procesin arsimor.

“Kapërcimi i sistemit arsimor në digjitalizim, shkurtim dhe largimi i lëndëve, largimi i librit dhe zëvendësimi i tyre me pajisje digjitale, sjellja e lëndëve zgjedhore me përmbajte të ndjeshme për klasat e ulta aspak nuk janë zgjidhje për fëmijët tanë”, tha Daniella Damianovska, prind.

Prindërit kërkojnë të organizohet referendum që qytetarët të shprehin mendimin dhe qëndrimin e tyre për digjitalizimin e librit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës protestat i sheh si absurde, pasi siç vlerësojnë, reformat do të avancojnë procesin arsimor.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës në tërësi e legjitimon të drejtën për protestë të qytetarëve, sepse është e drejtë e garantuar në Kushtetutë. Është absurde të protestohet kundër digjitalizimit të arsimit, nëse merret parasysh se ai është proces global i cili ndodh në një numër të madh të shteteve të botës, kurse Maqedonia e Veriut duhet të kapë hapin me trendet bashkëkohore dhe t’u afrohet standardeve për arsim cilësor, të cilat i imponojnë shoqëritë e zhvilluara”, thanë nga MASH-i.

Prindërit paralajmëruan se nëse nuk pranohen kërkesat e tyre fëmijët e tyre do të bojkotojnë procesin arsimor.