Pas një fushate të dobët eliminatore në Europë, Shkëndija e Tetovës vijon të zhgënjejë edhe në kampionat, teksa në tre javët e para ka marrë vetëm dy pikë, ndonëse shorti i ka vënë përballë kundërshtarë jo shumë të vështirë.
Kuqezinjtë luajtën pasditen e sotme në transfertën ndaj Bregalnicës, ku nuk shkuan dot përtej barazimit 3-3 dhe tani e shohin veten plot 5 pikë larg kreut, ndonëse jemi vetëm në javën e tretë të kampionatit.
Vendasit kaluan në avantazh me mesfushorin Marjan Altiparmakovski, i cili më herët ka veshur edhe fanellën e Laçit në Superiore, ndërsa Shkëndija riktheu baraspeshën në fillim të pjesës së dytë falë një autogoli të Azinovic. Në minutën e 62-të ishte Stojanov që i dha avantazhin sërish Bregalnicës, por kuqezinjtë barazuan me Ibraimin në të 91-ën dhe gjetën avantazhin me Doriev në të 89-ën nga pika e bardhë e penalltisë.
Megjithatë kur dukej se Shkëndija do të merrte tre pikët e para, vendasit shënuan në shtesë me Dujovskin dhe vulosën rezultatin 3-3, duke shtyrë sërish suksesin e parë sezonal për kuqezinjtë nga Tetova.