Nga Vjollcë Berisha
Nuk gjen në botë një vend ku të ketë më shumë shpresa se në spitale.
Gjithkush që lëngon e hap portën e spitalit, e bashkë me të edhe shpresën e shërimit. Po këtë portë e hapin edhe të afërmit e të sëmurit. Kështu ajo vetëtimthi qindfishohet, duke i shndërruar spitalet në vende ku banojnë më shumë shpresa se gjithkund tjetër.
E kur kjo vatër shprese, bëhet vatër zjarri, këtu mbaron çdo ndjenjë sigurie…
U tronditëm në palcë nga rënia e zjarrit në spitalin e Tetovës. Një spital prej letre, i dënuar të shkrumbohej, është treguesi më i mirë i një shteti prej letre që për tridhjetë vjet e mban vëmendjen të shpërqendruar nga gjërat esenciale të jetës në të.
Viktimat e kalojnë numrin 10. Të dalësh i shkrumbuar nga vendi ku gjithnjë pret shpëtimin e mbrojtjen, e shumëzon me njëqind këtë tragjedi dhe treguesin se gjithçka që bëhet në këtë shtet është vetëm sa për t’u bërë, sa për t’u fotografuar, sa për të shtuar një “arritje” në listën e gjërave që bëhen për sy e faqe..
Spitalet e këtij shteti kanë vrarë qindra pacientë nga mungesa e kushteve, medikamenteve, oksigjenit… nga prania e madhe e Hajnisë.
Emëruesi i përbashkët i kësaj tragjedie fatkeqësisht prapë se prapë është hajnia, e cila hajni nuk njeh rregulla, është kaq lakmitare sa nuk ia vë veshin as mënyrës së ndërtimit të një strehe ku jetojnë më shumë shpresa se kudo tjetër.
Fluturon kulmi i spitalit, merr jetën e një vajze absolvente, tentohet të pritet tubi qendror i oksigjenit, bëhet shkrumb e hi spitali modular… dhe përgjegjësia bashkë me ndërgjegjen rrijnë në sirtar!
Ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave! Lutje për shpirtin e tyre! U bëfshin dritë!
Reja e zezë që e mbuloi mbrëmë qytetin tonë nga trupat që lëngonin aty na i ka mbuluar shpirtrat të gjithëve dhe ky makth ka për të vazhduar derisa të zbulohen dëmtorët.
Të hetohen e ndëshkohen sa më parë e sa më seriozisht, të paktën një herë, fajtorët në këtë shtet!
Është momenti për të kërkuar përgjegjësi të gjithë, nisur nga ndjenja njerëzore, pa kalkulime, pa hatër dhe qejfbërje.
https://youtube.com/playlist?list=PLwDxg3Iu5-Jux2EghnXF5KUl0Xg-Blq4k