Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela nga Zhelina, tha se në komunën e Zhelinës zhvilohet beteja në mes pushtetit nga njëra anë dhe opozitës shqiptare nga ana tjetër.
“Unë vlerësojë se opozita shqiptare në komunën e Zhelinës është më e fortë dhe ajo do t’i fitojë zgjedhjet. E për ta kuptuar se mes kujt është beteja, pushteti pati kujdes sonte që të na tregojë simbolikisht se për çka punojnë ata, ata punojnë për të na lënë në errësirë duke ne i ndal dritat ndërsa ne punojmë për të sjellë dritë perspektivë, liri, e me tepër liri këtu në komunën e Zhelinës”, deklaroi Sela.
Sela tha se më nuk duhet besuar gënjeshtrave, ndërsa mori si shembull dorëheqjen kryeministri të Austrisë për shkak një skandali dhe shembullin me tragjedinë në Tetovë, ku asnjë funksionarë nuk mori përgjegjësi.
“Ndërsa ne kemi një kryeministër i cili vazhdon të jetë në pozitën e kryeministrit edhe pse u dogjën 14 njerëz. Dhe jo që s’jep dorëheqje ai, por mbron edhe ministrin dhe zv.ministirn dhe gjithë përgjegjësitë tjerë, të cilët edhe po të mos kishin faj kanë përgjegjësi morale, për shkak se janë përgjegjës se 14 njerëz sot nuk jetojnë. E pra, nuk ka Evropë me ksi lloj politikanësh të cilët nuk e dinë se çfarë do të thotë morali. Ne këtë duhet t’ua rikujtojmë me votë”, deklaroi Sela.
Ai shtoi se me të vërtetë janë zgjedhje lokale, por janë zgjedhje ku vendoset se a do të vazhdohet me gjendjen e njëjtë apo do të ketë ndryshim.
“A do të vazhdohet që ne t’i lejojmë që këta të na kërcënojnë me pushtet dhe krisma, apo do t’ua tregojmë vendin ku e kanë. Unë jam i vetëdijshëm që ju keni presion, që i gjejnë të gjitha format për të ju kërcënuar dhe shantazhuar për një vend pune të cilin e keni aq të nevojshëm. Me vendin e punës që e keni siguruar me shumë mund, e që ju kushtëzojnë se do ju largojnë. Në emër të çka ju kërcënojnë këta: në emër të pushtetit. Po kush ua ka dhënë këtë pushtet? Juve të dashur me votë ditën e zgjedhjeve. Dhe ju përsëri e keni pushtetin në dorë pas një jave më 17 tetor që t’ua merrni pushtetin atyre”, deklaroi Sela.
Sela tha se ka ardhur të ju thuhet mjaftë më, s’ka votë më, kanë mashtruar dhe nuk kanë realizuar asgjë për këtë popull.
“Është koha të shkojnë në opozitë e të mbushen me mend, e besa edhe të përgjigjen për të bërat ndaj shqiptarëve”, tha Sela.