Këngëtarja shqiptare, me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, mbrëmjen e të mërkurës ishte prezente në Këshillin Atlantik me një sërë personalitetesh të famshme. E shoqëruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Distinguished Leadership Awards, ajo u nderua me çmimin “Artistja e shquar e vitit 2021”. Pasi pranoi çmimin, ylli shqiptar nuk ka munguar me një fjalim duke u shprehur me krenari të madhe për Kosovën, kulturën, të rinjtë e po ashtu edhe për liberalizimin e vizave.
“Unë qëndroj përpara jush si një fëmijë i Kosovës, e lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe jam sot si mysafire e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë vij nga një vend për të cilin shumica prej jush e keni dëgjuar, por ndoshta jo në mënyrën se si do ta përshkruaj. Dua të ndaj me ju pak për Kosovën time”, ka thënë ajo. Lipa ndërkohë fjalimin e ka nisur me fjalë shqip teksa po përshëndeste të pranishmit tha, “Siç themi në shqip, Mirëmbrëma”.
“Kosova është shteti më i ri në Evropë. Kemi vetëm 13 vite në rrugëtimin e tonë të pavarësisë. Dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, ne do të lulëzojmë emocionalisht. Ne do të lulëzojmë ekonomikisht dhe kulturalisht. Është në gjenet tona. A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte lëndimin e konfliktit të fundit?”, tha më tej 26-vjeçarja.
Autorja e “Future Nostalgia” në Këshillin Atlantik u takua edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, së cilës i kërkoi edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.“Të rinjtë luftojnë për të gjetur punë dhe mundësitë e tyre pengohen nga kufizimet që e bëjnë të vështirë udhëtimin për punë ose kënaqësi. Pasi kemi përmbushur të gjitha kriteret, Komisioni Evropian në fakt ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për më shumë se tre vjet më parë. Pra, a mendoni se ne mund ta arrijmë atë tani?”, ka qenë pyetja me të cilën i është drejtuar kryetares së KE-së.
Dua më tej tregoi edhe për Festivalin Sunny Hill duke thënë se në vitin 2018 e kishte themeluar së bashku me të atin, Dukagjin Lipën dhe se tani është kthyer në një nga festivalet më të mëdha të muzikës në rajon.
Ajo zbuloi se kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për të krijuar Qendrën e Arteve dhe Inovacionit Sunny Hill në Prishtinë dhe shpresojnë që puna të fillojë verën e ardhshme.