Ministria e Transportit dhe Lidhjeve njofton se pas përpunimit të të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme në lidhje me autobusin e djegur në aksidentin tragjik në Bullgari, është vërtetuar se për autobusin në fjalë nuk është lëshuar licencë për transportim ndërkombëtar të udhëtarëve. Nga kjo Ministri thonë se automjeti në fjalë nuk figuron në evidencën elektronike të licencave për kryerjen e transportimit të brendshëm ose ndërkombëtar të udhëtarëve.
“Pas të dhënave të dorëzuara zyrtarisht nga MPB-ja, lidhur me mjetin e djegur me numër regjistrimi SK-0284-BA në pronësi të kompanisë “Besa Trans BTB”, e cila mori pjesë në aksidentin me pasoja tragjike në Republikën e Bullgarisë, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka konstatuar se për automjetin në fjalë nuk është lëshuar licencë për kryerjen e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve dhe as për ndonjë lloj tjetër të transportit publik të udhëtarëve”, thuhet në njoftimin e kësaj Ministrie.
Sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, kompania “Besa Trans BTB” ka tre automjete të licencuara, ndërsa autobusi i djegur nuk është në mesin e automjeteve të regjistruar.
“Në bazë të nenin 12 të Ligjit për transport rrugor dhe për shkak të mungesave që janë vërtetuar nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve dhe me qëllim që të parandalohet ndonjë veprim tjetër nga firma që do të mund të nxisë pasoja negative, firmës “Besa Trans BTB” i merret licenca për punë, përkatësisht ndalesa për kryerjen e veprimtarisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.