Teksa ka kaluar 1 javë nga vetëvrasja e 38-vjeçarit Adem Rusi, trupi i të ndjerit ka mbërritur ditën e sotme në Shqipëri.
Bëhet me dije se përmes një prononcimi për media i vëllai i tij, Shkëlqimi, ka kërkuar bërjen e autopsisë së trupit të 38-vjeçarit nga autoritetet shqiptare.
Vëllai i viktimës Shkëlqim Rusi kërkon zbardhjen e asaj që ai e konsideron si vrasje, pasi është e pamundur të vetëvaret me lidhësen e këpucëve dikush në një furgon policie, në prani të gardianëve.
“Në prokurori ka vajtur kallëzimi penal që bëra dhe do shkoj të pyes për te marrë fletën nëse do pranojnë kallëzimin. Dua me çdo kusht që t’i bëhet autopsia, që të di shkakun e vdekjes e të fle rehat. I kam marrë të gjitha letrat, vetëm atë të prokurorisë pres. Përgjigje deri më tani kam ato që kanë nxjerrë grekët, por unë s’besoj asnjë gjë, këtu do dalë e vërteta.
Morën fillimisht nënën, pastaj më morën mua e më thanë që e kemi çuar në spital, për kontroll rutinë, natën nuk ka kontroll rutinë.
Ka pirë klorinë më tha drejtori i burgut, tha u bë mirë, kur po e kthenim fatkeqësisht vari veten, në makinë të policisë, me gardianë brenda. Ata nuk të lenë as me lidhëse këpucësh, as me rrip, asgjë të ketë i burgosuri, plus ka qenë i prangosur dhe me 2-3 shoqërues.
Do kërkoj drejtësi deri në fund, sikur edhe kjo të jetë e vërtetë që të ketë varur veten, është neglizhencë e tyre. Pas vëllait tim mund ta kenë radhën të tjerët, shteti tonë duhet të ngrejë strukturë në ambasadat tona që të mbrojë të gjithë të burgosurit. Shpresën vetëm te autopsia e kam”, u shpreh Rusi.
Kujtojmë se Adem Rusi vari veten me lidhëse këpucësh në furgonin e policisë teksa ishte duke u transportuar në qeli, pas një kontrolli rutinor në spital.