Ballina Aktualitet Kultura SHQIPTARËT DHE ALBANOLOGU KROAT MILLAN SHUFLAJ

SHQIPTARËT DHE ALBANOLOGU KROAT MILLAN SHUFLAJ

Nga Xhelal Zejneli

Millan Shufllaj (Milan Šufflay) lindi Në Lepogllavë, më 8 nëntor 1879, vdiq në Zagreb, më 19 shkurt 1931. Është historian, politikan, përkthyes dhe shkrimtar kroat. Një prej themeluesve të albanologjisë. Autor i të parit roman fantastik-shkencor në letërsinë kroate. Fëmija më i vogël i mësuesit Augustin Shuflaj dhe i Franciska, e lindur Velle fon Forstern (Welle von Vorstern). Nëna e tij ishte gjermane nga Osijeku (qytet në Kroacinë e sotme). Millan Shuflaj kishte dy motra më të mëdha – Angella dhe Zllata. Në vitin 1897 kreu në   Zagreb gjimnazin klasik. Studioi në Universitetin e Zagrebit historinë. Në vitin 1901 mbrojti disertacionin “Kroacia dhe dëshira e fundit e perandorisë lindore nën skeptrin e tre Komnenëve (1075-1180) dhe mori gradën e doktorit të filozofisë. Qysh si student, njihte frëngjishten, gjermanishten, italishten, anglishten, të gjitha gjuhët sllave, latinishten, greqishten e vjetër dhe greqishten e mesme. Më vonë mori njohuri për greqishten e re, shqipen, hebraishten dhe sanskritishten (indishtja e vjetër). Profesori Tadija Smiçikllas e konsideronte si studentin e vet më të talentuar. E kishte asistent në redaktimin e “Codex diplomaticus” të Akademisë. 

Në vitet 1902-1903 studioi në Institutin e Historisë Austriake në Vjenë. U mor me studimin e historisë mesjetare kroate si dhe me të kaluarën e shqiptarëve. U bë edhe historian i Ballkanit. Kishte bindjen se e kaluara e kroatëve mund të hulumtohet drejt vetëm nga pozicioni ballkanik. Me këtë e ndërpret mendimin mbizotërues të historianëve kroatë se kroatët janë përfaqësues të Perëndimit dhe në oponencë ndaj Ballkanit. Historiani, politikani dhe diplomati dhe albanologu i njohur hungarez, i lindur në Sllovaki Lajosh Taloçi (Lajos Thallóczy, 1857-1916), e merr në Budapest ku punon në Muzeun Popullor. Në vitet 1904-1908 aty punon si kustos. Në vitin 1908, Bani (guvernatori) Levin Rauh (Rauch), e emëron profesor inordinar në katedrën e shkencave ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Në vitin 1912 zgjidhet profesor ordinar. Kur bani Rauh zëvendësohet nga bani Nikolla Tomashiq, Millan Shufllaj u detyrua të largohej nga universiteti. Në fillim të vitit 1915 u mobilizua dhe u dërgua në shërbimin ushtarak austro-hungarez. Për shkak të sëmundjes, u lirua nga shërbimi ushtarak. Tani i shkruan punimet e tij më të rëndësishme. 

*   *   *

Ishte një prej promotorëve kryesorë të idesë „kufiri në Drinë“, si kufi i religjioneve, i qytetërimeve dhe i ndarjes së botës katolike prej popujve jokatolikë. 

Në vitin 1921, në shtetin e ri – Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (Mbretëria e SKS) u arrestua “për tradhti të lartë”, spiunim në dobi të shtetit të huaj. U nxor para gjykatës, bashkë me Dr. Ivo Pilarin dhe 14 të akuzuar të tjerë. Procesi gjyqësor kundër tyre zgjati prej 2 deri në 25 qershori i vitit 1921. Sipas aktakuzës së drejtësisë të regjimit të mbretit Aleksandar I Karagjorgjeviq (Cetinë, Mali i Zi, 1888 – Marsej, Francë, 1934), këta kishin punuar për shkëputjen e dhunshme të Kroacisë nga Mbretëria e SKS. 

Shënim: Aleksandar I Karagjorgjeviq ka qenë i pari mbret i Mbretërisë së SKS. Në vitet 1929-1934 ka qenë mbret i Mbretërisë Jugosllave. U vra në Marsej të Francës. Për atentatin u fajësuan nacionalistët kroatë. 

*   *   *

Shuflaj deklaron para gjyqtarëve se Kroacisë nuk i duhet një luftë e armatosur si ajo në Irlandë dhe as shkëputje e dhunshme. 

Midis tjerash thotë: “Kroacia e ka të drejtën e vet shtetërore, ndërsa kroatët si një popull politik, e kanë të drejtën e tyre të natyrshme, të drejtën për vetëvendosje. Ndërprerja e lidhjes me ish-monarkinë më 29 tetor 1918, paraqet bazë për shtetin e pavarur kroat. Ky shtet nuk është pjesë e ndonjë kornize të vjetër … Këtu s’kemi të bëjmë me shkëputje! Përkundrazi, këtu kemi të bëjmë me një kornizë të re shtetërore, e cila juridikisht ende nuk është krijuar. Të më akuzoni se unë dëshiroj ta shkëpus shtetin kroat që ekziston, nga mbretëria SKS, e cila juridikisht nuk ekziston, nuk është veçse një lajthitje juridike dhe logjike. (…) Po qe se ndjenja kroate, dëshira dhe ideja për vetëvendosje, për shtetit kroat, besimi për Antantën paraqet mëkat, atëherë unë jam fajtor. Por, këtë ndjenjë, këtë dëshirë, këtë besim e ka i tërë populli kroat dhe i ka shprehur nëpërmjet përfaqësuesve të Banovinës Kroate. Pushteti që më padit, mund ta fitojë procesin kundër meje, por duke qenë se e përndjek tërë popullin kroat, do ta humb procesin para fytyrës së Evropës… Për mua si filozof dhe si një kroat liridashës, fare s’ka rëndësi në qëndroj në bankën e vogël të kësaj gjykate ose të ndonjë ndëshkimoreje tjetër apo më shkarkoni nga akuza, për të dalë në liri, që nuk është veçse një burg i madh, ku mbahet nën robëri i tërë populli kroat, që me ndihmën e Zotit, besoj t’i vijë fundi”.

Shënim: Stjepan Radiq (Stjepan Radić, 1871-1928) është politikan, shkrimtar, përkthyes dhe publicist kroat. Personalitet i shquar i historisë kroate. I pari politolog kroat i diplomuar. Kryetar i Partisë Fshatare Kroate. Më 8 gusht 1928 u qëllua me revole në Kuvendin e Jugosllavisë në Beograd, gjatë seancës. Atentator ishte çetniku serb Punisha Raçiq. Me këtë rast u qëlluan edhe disa deputetë të tjerë kroatë. Stjepan Radiqi vdiq nga pasojat e plagëve të marra.   

*  *   *

Ndërhyrjeve të gjyqtarëve se askush nuk është duke e përndjekur popullin kroat, Shufllaj u përgjigjet: “Për këtë pyetni Stjepan Radiqin, ai është populli kroat”. Po kur të vdes Radiqi? Shufllaj ua kthen: “Populli kroat do të lindë Radiq tjetër”

Shuflaj u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg. Dënimi bëri bujë në mbarë botën. Të akuzuarit e tjerë u dënuan: Pavao See me 12 vjet heqje lirie, Rudolf Vidak me 4 vjet, Dragutin Taborshak me 3 vjet e katër muaj, Franjo Shkvorc dhe Jakob Petriç me nga 3 vjet, Josip Drenski Shpolarec me 2 vjet e katër muaj, Ivan Havelka me 8 muaj, Gabriel Kruhak, Florijan Shtromar, Millan Galloviq dhe Ivan Kovaçiq me nga 6 muaj, Dr. Ivo Pilar me 2 muaj, me kusht një vit, ndërsa Sharlota Vidak, Antun Paviçiq dhe Andrija Medar u liruan nga akuza.

Lidhur me dënimet e sipërthëna ka pasur reagime nga shkencëtarë të shumë vendeve  të botës. 

Shuflaj e vuajti dënimin në burgun e Mitrovicës së Sremit (Sremska Mitrovica). Pas transferimit në burgun e Zagrebit, u operua dhe u konstatua se lëngon nga tuberkulozi i mushkërive, nga emfizema dhe se ka probleme me zemrën. Më 2 tetor 1922, pasi e vuajti gjasmën e dënimit, u lirua nga burgu. U vendos te motra Zllata në Zagreb, në Rr. “Gunduliqeva” Nr. 25. Pasi doli nga burgu, përsëri iu përkushtua punës shkencore. Në pranverë të vitit 1928, pranoi ofertën e katedrës së historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Budapestit dhe më 1 qershor të po atij viti, u emërua profesor universitar, por nuk kishte mundësi të shkonte për arsye se kërkesa për pasaportë iu refuzua. Në vjeshtë të vitit 1929, me kërkesën e qeverisë shqiptare dhe të Akademisë së Shkencave të Austrisë, e vazhdon veprën e historianit dhe ballkanologut çek, profesor i Universitetit të Vjenës, Konstantin Jireçek (Konstantin Joseff Jireček, 1854-1918) dhe të historianit, politikanit, diplomatit dhe albanologut të njohur hungarez Lajosh Taloçi (Lajos Thallóczy, 1857-1916) – përgatit vëllimin III të lëndës arkivore “Codex Albanicus”. Dy vëllimet e para të veprës përfshijnë periudhën prej vitit 344 deri në vitin 1451. 

Në vitin 1929 e pranon ftesën e qeverisë shqiptare për ta vizituar Shqipërinë. Pas shumë peripecish dhe ndërhyrjesh, ia del të marrë pasaportë. Në dhjetor të viti 1930 Shuflaj vjen në Shqipëri. Është pritur me nderime të mëdha. E ka pritur edhe Mbreti Ahmet Zogu (1895-1961). Më 16 janar 1931 Shuflaj mban fjalim në Kuvendin e Shqipërisë.

Shuflaj ka mbajtur letërkëmbim me personalitete të njohura të lëmit të shkencës, me institucione, me akademi të shkencave të Austrisë, të Gjermanisë, të Hungarisë, të Italisë, etj. Ka mbajtur letërkëmbim edhe me Mid’hat Frashërin (Lumo Skëndo, 1880-1949), me ministrinë Arsimit të Shqipërisë Abdurrahman Dibra (1885-1961). Ka botuar artikuj shkencor edhe në revistën “Dituria” të Lumo Skëndos. Letërkëmbim ka mbajtur edhe me albanologun italian Antonio Balldaçi (Antonio Baldacci, 1867-1960). Për letërkëmbimin e Shuflait, historiani Zekiria Cana (1934-2009) dhe profesori, përkthyesi e gazetari Ymer Jaka (1937-2009) kanë botuar një studim në revistën “Përparimi”, Nr.1/1988, Prishtinë.   

Vepra Serbët dhe shqiptarët“, të përkthyer në shqip nga Zef Fekeçi dhe Karl Gurakuqi, është botuar edhe në revistën “Hylli i Dritës”, Shkodër 1938.   

Kah mesi i janarit të vitit 1931 i hulumton fondet arkivore të Dubrovnikut dhe të Kotorit, ndërsa kah fundi i janarit të po atij viti e përfundon vëllimin III të botimit të “Codex Albanicus”.  

*   *   *

Me t’u kthyer nga Shqipëria, mori letër kërcënuese. Nëpër gazetat dhe revistat u sulmua në mënyrë të vazhdueshme. Kjo tregonte qartas se qarqet serbomadhe kishin vendosur ta likuidojnë. Pjesëtarët e organizatës së regjimit “Jugosllavia e Re” (Mlada Jugoslavija), e cila gëzonte mbrojtjen e mbretit, më 18 shkurt të vitit 1931 e pritën në prag të derës, e qëlluan me hekur në kokë dhe ia thyen kafkën. Pas kësaj, i kanë hyrë në banesë dhe e kanë marrë dorëshkrimin e përgatitur për botim të bleut III “Codex Albanicus”. Vdiq pas një dite, më 19 shkurt 1931, nga pasojat e plagëve të marra në kokë. 

Agjentët e policisë Lubomir Bellosheviq dhe Branko Cveger (Zwerger) që e kishin kryer krimin, u strehuan në Beograd. Pas themelimit të Banovinës (Guvernantës) Kroate, u kërkua dërëzimi i tyre. por më kot. Prej 10 qershorit deri më 14 qershor të vitit 1940, u zhvillua procesi i rigjykimit të atentatorëve. Edhe tani gjykata nuk deshi të provojë të vërtetën e pamohueshme se atentati apo krimi barbar ishte kryer me urdhrin e shefit të policisë së Zagrebit, Janko Bedekoviq, me porosinë e Beogradit. Pas një shqyrtimi treditor, më 21 qershor 1940, i shpalli fajtor Branko Cvergerin (Zwerger) dhe Lubomir Bellosheviqin, ndërsa personin e tretë, Stevo Veçerinac, e liroi nga faji. Branko Cverger (Zwerger) u dënua me dënim të përjetshëm dhe me humbjen e përhershme të të drejtave për të qenë i nderuar, ndërsa Lubomir Bellosheviqi u dënua me pesë vjet heqje lirie dhe me humbjen e të drejtave për të qenë i nderuar. 

Prokurori shtetëror nuk ishte i kënaqur me lartësinë e dënimeve. Më 28 qershor 1940 i paraqiti Avokatisë Shtetërore ankesë dhe kërkesë për revizion. Kërkoi nga Tryeza e të shtatëve që lidhur me lartësitë e dënimeve të marrë vendim të ri. Tryeza e të shtatëve dënimin për Branko Cvergerin (Zwerger) e konfirmoi, ndërsa për Lubomir Bellosheviqin, gjatë dhjetorit të vitit 1940 dhe janarit të vitit 1941, në Gjykatën e qarkut në Zagreb, mbajti proces të ri. Më 25 janar 1941, nxori për të aktgjykim lirues.     

*   *   *

Fizikani gjerman me prejardhje hebraike Albert Ajnshtajn (Albert Einstein, 1879-1955) dhe romancieri gjerman, autor veprash me tema sociale Hajnri Man (Heinrich Mann, 1871-1950), nëpërmjet Lidhjes ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me seli në Paris, e ftuan opinionin kulturor të botës të ngrenë zërin e protestës kundër krimit të kryer ndaj Millan Shuflait. Megjithëkëtë, vrasjet politike të kroatëve në Jugosllavi vazhduan. 

Më 22 shkurt 1931, edhe pse ishte ithtar i Partisë Kroate të Drejtësisë, Shuflaj u varros në pjesën e portikut të varrezave Mirogoj të Zagrebit, që i takonte Partisë Fshatare Kroate.  

Veprat – Përpos veprave shkencore, Shuflaj ka shkruar edhe romanin “Në Paqësor, në vitin 2255”. Është i pari roman fantastik-shkencor në letërsinë kroate. Për këtë arsye konsiderohet themelues i letërsisë fantastike-shkencore kroate. Veprën e botoi më 1924 me pseudonimin Eamon O’Leigh. U botua në “Obzor” prej 23 prillit deri më 1 gusht 1924, në 75 vazhdime. Në këtë roman e parashikoi shpërthimin e Luftës së dytë Botërore, rritjen e temperaturës në tokë, përhapjen e feminizmit, rritjen e përdorimit të drogës dhe të stimuluesve të ndryshëm, kalimin në vegjetarianizëm, bioinxhinieringun etj. 

Ka shkruar disa libra nga historia e Shqipërisë.                        

Hrvatska i zadnja pregnuća istočne imperije pod žezlom triju Komnena (1075-1180), Zagreb, 1901; (Kroacia dhe dëshira e fundit e perandorisë lindore para skeptrit të tre Komnenëve, 1075-1180); 

Die Dalmatinische Privaturkunde, Vjenë, 1904;

A két arbei iker-oklevél, Athenaeum irodalmi es nyomdai r.-t. nyomasa, Budapest, 1905;

Biologie des albanesischen Volksstammes, Munchen, 1916;

Die Kirchenzustànde im vorturkischen Albanien von Milan v. Sufflay, Budapest, 1916.

Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia; Kjo përmbledhje diplomatike shqiptare, në dy vëllime, u punua bashkë me Konstantin Jireçekun dhe Lajosh Talloçin (Thallóczy)], Vëllimi I, Vjenë 1913; Vëllimi II, 1918. (repr. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë etj. Vëll. 1: Annos 344-1343 tabulamque geographicam continens. Vëll. 2: Annos 1344-1406 continens, Tirana, 2002.);

Kostadin Balšić“ (1392-1402.): roman historik në tri pjesë, „Kostadin Balsha“ (1392-11402), roman historik, Shtypshkronja Merkur, Zagreb, 1920. (me pseudonimin Alba Limi); 

Ludwig v. Thalloczy: (1854-1916), Weidmannsche Buchhandlung, Berlin, 1920;

Stàdie una Burgen Albaniens hauptsachlich wahrend des Mittelalters, Vjenë-Lajpcig (Leipzig), 1924; “Albanski gradovi i utvrde posebice u srednjem vijeku (Qytetet dhe kështjellat shqiptare në veçanti në mesjetë);  

Srbi i Arbanasi. (Njihova simbioza u srednjem vijeku), Serbët dhe shqiptarët. (Simbioza e tyre në mesjetë), Beograd-Lubjanë, 1925. (Književna zajednica Kultura, Sarajevë, 1990; bot. Azur Journal, Zagreb, 1991; botimi anglez Serbs and Albanians, përkthyer në anglisht nga Wayles Browne dhe‎ Theresa Alt, Alerion, 2012);

Serbët dhe shqiptarët“, përkthyer në shqip nga Zef Fekeçi dhe Karl Gurakuqi (Shkodër, 1895 – Palermo, Itali, 1971), Tiranë, 1926;

Statuti i uredbe kaptola dračke stolne crkve (Statutet dhe dekretet e kaptolit të kishës ekleziake të Durrësit) (Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis, 1927, bashkautor historiani kroat, profesor i Universitetit të Beogradit dhe anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, Viktor Novak (1889-1977);    

Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike: dvanaest eseja, (Kroacia në dritën e historisë dhe të politikës botërore: dymbëdhjetë ese); Shtypshkronja Merkantile (Gj. Jutrisha dhe shokët), Zagreb, 1928, (rishtypur, Darko Sagrak, Zagreb, 1999);

Hrvati u sredovječnom svjetskom viru, 1931 (Kroatët në vorbullën botërore të mesjetës), 1931;

Historia e shqiptarëve të veriut. Serbët dhe shqiptarët, Prishtinë, 1968;

Dr. Milan Šufflay: znanstvenik, borac i mučenik: povodom 60 godišnjice od atentata 1931-1991, kryeredaktor përgjegjës Dobrosllav Paraga dhe Ante Paraxhik, Hrvatska stranka prava, Zagreb, 1991. (Dr. Millan Shuflaj: dijetar, luftëtar dhe martir: me rastin e 60-vjetorit të atentatit 1931-1991); Partia Kroate e Drejtësis;

Kostadin Balšić, (Kostadin Balsha), Bashkësia e shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, Zagreb, 1997;

Na Pacifiku god. 2255., Prosvjeta, Zagreb, 1998., (Në Paqësor, në vitin 2255: roman metagjenetik në katër libra, roman fantastik-shkencor; i regjistruar për herë të parë në vitin 1998); 

Izabrani eseji, prikazi i članci, Darko Sagrak, Zagreb, 1999. (Ese të zgjedhura, paraqitje dhe artikuj); 

Izabrani eseji, rasprave, prikazi, članci i korespondencija, (Ese të zgjedhura, shqyrtime, paraqitje, artikuj dhe letërkëmbim);përgatiti për shtyp dhe redaktoi Darko Sagrak, Zagreb, 2000;

Izabrani politički spisi, (Shkrime politike të zgjedhura); përgatiti Dubravko Jelçiq në edicionin Stoljeća hrvatske književnosti (Shekuj të letërsisë kroate), Zagreb, 2000;

Dalmatinsko-hrvatska srednjovjekovna listina. Povijest hrvatskoga notarijata od XI. do XV. stoljeća, (Dokumente dalmato-kroate të mesjetës. Historia e noterisë kroate prej shekullit XI deri në shekullin XV), Zagreb, 2000, përkthimi Die Dalmatinische Privaturkunde nga 1904. Redaktoi dhe përktheu nga gjermanishtja Darko Sagrak. (botim i dytë, 2007).

*   *   *

Më 26 nëntor 2002, u mbajt në Tiranë konferenca shkencore „Shuflaj dhe shqiptarët“,  kushtuar veprës së Shuflait. Në të morën pjesë studiues nga Shqipëria, nga Kosova, nga Kroacia etj. I pranishëm ishte edhe Ismail Kadareja. Me këtë rast, kryetari i Shqipërisë Alfred Moisiu   i akordoi post mortem Shuflait çmimin „Naim Frashëri i Artë“

Më 25 nëntor 2013, Posta e Shqipërisë ua kushtoi botimin e dytë të rastit, albanologëve të njohur Millan Shuflait, Konstantin Jireçekut dhe Lajosh Talloçit (Thallóczy).

Përpos pullës postare të Postës së Shqipërisë me portrtin e Shuflait, në Tiranë dhe në Prishtinë ka rrugë që e mbajnë emrin e tij.     

*   *   *

Në vitin 1994, në shtëpinë që ndodhet në Rr. „Dalmatinska“ Nr. 6, para së cilës u krye atentati ndaj tij, Shoqata „Braća Hrvatskoga Zmaja“, („Vëllezërit e Dragoit Kroat“) vendosi pllakë përkujtimore.   

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zagreb e ndan Certifikatën për merita „Milan Šufflay“ personave, institucioneve dhe organizatave për kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e miqësisë dhe të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë dhe popujve të tyre; për kontribut të jashtëzakonshëm për paqen, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon; apo për kontribut të veçantë në lëmin akademik, të kulturës, të artit dhe të shkencës që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe me kroatët.