Leonard Maloku, i njohur si autor dhe moderator i emisionit dedikuar ekskluzivisht muzikës “BLUES”, ndërroi jetë sot.
Në periudhën si moderator në “Paper Radio”, ai me përkushtim dhe profesionalizëm të veçantë dha kontribut të pakursyer në realizimin e intervistave të shumta me artistë të njohur ndërkombëtarë të muzikës “BLUES”.
Vdekja e tij është humbje e madhe për mediat kosovare, duke e ditur faktin se ai ishte njëri ndër iniciatorët, i cili kishte sjellë frymën kreative të këtij zhanri për dëgjuesit dhe adhuruesit e shumtë në Kosovë.
Lajmin e dhimbshëm e kumtoi “Paper Radio”, përmes një postimi në Instagram.
“Është gjithmonë e vështirë të kumtosh lajme të dhimbshme! Sot kolegu ynë i dashur, Leonard Maloku, iku në amshim. Një njeri me vlera të larta njerëzore, i cili përçonte gjithmonë energji pozitive. Fryma që Leonardi solli në Paper Radio, si një dashamirës i madh i zhanrit “Blues”, është inspiruese dhe e pakrahasueshme. Leonard, do të mbahesh mend gjatë! Së pari për mirësinë tënde, e pastaj për revolucionin që solle në radiot e Kosovës. Varrimi do të mbahet sot, më 2 shkurt 2022, në varrezat e qytetit të Prishtinës”.