Sindroma e zorrës së irrituar (SZI), ndodh kur muskujt në zorrën e trashë kontraktohen më shpejt ose më avash se normalisht. Kjo shkakton dhimbje, ngërçe, gazra, periudha të menjëhershme diarreje dhe kapsllëk. Pavarësisht se këto simptoma janë problematike, sindroma e zorrës së irrituar nuk shkakton dëm të qëndrueshëm në zorrën tuaj.
Rreth 5-10% e popullatës kanë SZI, e cila e ka pikun e vet mes moshës 20 dhe 39 vjeç. Por ajo mund të ndodhë në çdo moshë dhe shpesh shoqërohet me stres. Ajo prek dy herë më shumë gratë se burrat.
Simptomat mund të përfshijnë:
1. Dhimbje si ngërç në zonën e poshtme të barkut
2. Gazra dhe fryrje të barkut
3. Diarre ose kapsllëk apo periudha me të dyja
4. Nevojë e menjëhershme për jashtëqitje kur zgjodheni ose gjatë apo pas vakteve
Personat që kanë SZI mund të mos kenë një lëvizshmëri normale të zorrës. Zorra mund të jetë spastike ose mund të ndalojë së lëvizuri përkohësisht. Spazmat janë kontraktime të forta të papritura të muskujve të cilat vijnë dhe shkojnë. Shtresa e mukozës së zorrës e quajtur epitelium, e cila është prekur nga sistemi imunitar dhe ai nervor, rregullon rrjedhjen e lëngjeve brenda dhe jashtë zorrës.
Në sindromën e zorrës së irrituar duket sikur epitelium punon normal. Mirëpo, kur përmbajtja brenda në zorrë lëviz shumë shpejt, zorra humbet aftësinë për të përthithur lëngjet. Rezultati është prania e shumë lëngjeve në feçe. Tek persona të tjerë lëvizjet brenda zorrës janë shumë të ngadalta. Ato shkaktojnë përthithje të tepërt të lëngjeve dhe si rezultat personi bëhet kaps.
Kriter për vendosjen e diagnozës për SZI përfshijnë dhimbje të barkut ose parehati për të paktën 3 ditë në muaj për tre muaj. Mbi 50% e njerëzve me SZI kanë simptoma psikologjike si ankth apo depresion. SZI mund të ndikojë në mënyrën se si trupi përthith ushqyesit, kështu që disa njerëz mund të mos marrin gjithë ushqimet për të cilat kanë nevojë. SZI mund të shkatohet nga ndonjë çrregullim në lëvizjen e muskujve të zorrës ose tolerancë e ulët për zgjerimin dhe lëvizjen e zorrëve.
Medikamentet janë një pjesë e rëndësishme për lehtësimin e shenjave. Mjeku mund t’ju përshkruajë suplemente me fibra ose laksativë për kapsllëkun ose medikamente për të pakësuar diarrenë. Gjithashtu do t’ju përshkruajë spazmolitik për të kontrolluar spazmat (tkurrjet) e zorrës dhe dhimbjet e barkut.
Antidepresantët gjithashtu mund të ndihmojnë në lehtësimin e shenjave, por nga ana tjetër, përdorimi i tyre dhe i spazmolitikëve mund të shkaktojnë konstipacion të ashpër, kështu që mjekut mund t’i lindë nevoja të përshkruajë medikamente që relaksojnë muskujt e vezikës urinare dhe zorrëve.
Me çdo mjekim, madje dhe me një sërë mjekimesh si laksativët dhe suplementet në fibra, është shumë e rëndësishme ndjekja e këshillave të mjekut. Mjekimet ndikojnë në mënyra të ndryshme tek njerëzit dhe jo çdo medikament mund të jetë i vlefshëm për çdo njeri me SZI.
Spitali Amerikan, përqafoje jetën!
/abcnews.al