Rreth 50 anëtarë të parlamentit 290 vendesh të Iranit janë infektuar me Covid-19, tha një deputet të shtunën, ndërsa varianti Omicron përhapet pa pushim në të gjithë vendin. Deputeti Alireza Salimi, duke folur për “YJC” që është një agjenci lajmesh e lidhur me televizionin shtetëror të Iranit tha se seanca parlamentare e kësaj jave do të mbahet në përputhje me rregulloret shëndetësore.
Parlamenti u pezullua për dy javë prillin e kaluar për shkak të një shpërthimi mes deputetëve. Në ditët e para të pandemisë, disa ligjvënës vdiqën nga virusi. Irani ka parë një rritje të rasteve pas një pushimi të shkurtër pas vaksinimeve masive. Ditët e fundit ka raportuar mesatarisht më shumë se 30,000 infeksione të reja në ditë raporton “CNN”.
Irani me një popullsi prej rreth 85 milion banorësh ka raportuar më shumë se 6.5 milion infeksione dhe më shumë se 132,500 vdekje të lidhura me koronavirusin që nga fillimi i pandemisë. Më shumë se 50 milionë njerëz kanë marrë dy doza të vaksinës Covid-19 dhe më shumë se 19 milionë kanë marrë tre doza. / abcnews.al