Autoritetet në Pekin kanë izoluar më shumë banorë nëpër shtëpitë e tyre, në kuadër të përpjekjeve të tri javëve të fundit për të kontrolluar shpërthimin e pandemisë së koronavirusit në kryeqytetin kinez. Shtatë zona të Pekinit janë bllokuar për të paktën një javë.
Aty përfshihet edhe një treg i ushqimeve me shumicë, i cili është përmbyllur pa afat kohor të shtunën, për shkak të shpërthimit të virusit aty.
Pjesa më e madhe e Pekinit nuk është në izolim, mirëpo rrugët janë më të qeta se zakonisht pasi shumë dyqane janë të mbyllura dhe njerëzit janë duke punuar nga shtëpitë.
Kufizimet e reja vijnë pasi Shangai, qyteti më i madh i Kinës, ka nisur të lehtësojë disa masa kufizuese pas më shumë se gjashtë javëve.
Dy shpërthimet në Pekin dhe Shangai kanë vënë fokusin te strategjia e Kinës për zero raste me COVID-19 dhe te kapaciteti për të ndalur hovin e infektimeve.
Kina ka regjistruar 1,100 raste të reja me koronavirus të hënën, ka thënë Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë. Prej tyre, rreth 800 janë regjistruar në Shangai dhe 52 në Pekin.
Numri i infektimeve të reja në Shangai ka rënë tash e dy javë, mirëpo autoritetet kanë hequr gradualisht kufizimet, gjë që ka zemëruar banorët./REL