Objektet e “Makedonija Tabak” dhe “Pofix” që gjenden në mes të rrugëve “Iliria” dhe “Boris Kidriç”, në dalje të Tetovës janë përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm. Ekipet zjarrfikëse të Tetovës, bashkë me ata të Gostivarit e Shkupit ndodhen në terren, bashkë me kolegët e tyre nga Urgjenca Mjekësore, raporton Portalb.mk.
Komuna e Tetovës në bashkëpunim me Sektorin për Arsim të Komunës ka marrë vendim që sot dhe nesër të ndërpritet procesi edukativo arsimor për shkak të situatës së krijuar pas zjarrit që ka shpërthyer sot në një depo në qytet. Ndërkaq sot edukatoret e çerdheve obligohen që t’i mbajnë në kujdestari fëmijët, prindërit e të cilëve për shkak të përgjegjësive të punës nuk kanë mundësi t’i marrin nga çerdhet.
https://youtu.be/O8ZK91C37wE
“Për arsye sigurie nga përkeqësimi i cilësisë së ajrit në Tetovë dhe me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të fëmijëve dhe nxënësve, kemi marrë këtë vendim. Po ashtu apelojmë edhe te qytetarët që pa nevojë të mos dalin nga shtëpitë e tyre deri në përmirësimin e situatës dhe pastrimit të ajrit. Qytetarët dhe nxënësit të cilët lëvizin jashtë për nevojat e tyre personale duhet të mbajnë me vete maska mbrojtëse”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Çeta e ARM-së për Armë Atomike, Kimike dhe Biologjike po e kontrollon cilësinë e ajrit
Ekipi i Çetës për Mbrojtje nga Armët Atomike, Kimike dhe Biologjike të Armatës së Maqedonisë së Veriut, ka arritur në Tetovë, gjegjësisht vendin e ngjarjes ku shpërtheu zjarri sot në mëngjes dhe si pasojë e të cilit qielli u mbush me tym të zi dhe grimca helmuese, raporton Portalb.mk.
Ekipi i Armatës, nëpërmjet pajisjeve të specializuara, do ta kontrollojë nëse dhe çfarë materie të rrezikshme ka mbi qiellin e Tetovës, si pasojë e djegies së materialeve të stiroporit të cilat përmbajnë mjete të rrezikshme kimike.
“Ata kanë pajisje më moderne për detektimin e materieve toksike dhe veçanërisht për dioksidin e karbonit, të cilën e kanë donacion nga SHBA. Këtë pajisje e përdorin të gjitha armatat moderne në botë. Fillimisht do të hyjnë brenda dhe do të bëjnë në vendin e ngjarjes kontroll të materieve helmuese në ajër dhe pastaj këtu diku jemi marrë vesh që të bëhet kontroll të ajrit të shohin nëse dhe çfarë materie të rrezikshme përmban ajri në vendin ku qëndrojmë”, tha drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojanço Angellovski.
Ai shtoi se pastaj do të bëjnë kontroll të ajrit në drejtim të erës, 500-600 metra më larg, në vendin ku bien në tokë grimcat.
“Është më se e dukshme se ka grimca PM10”, shtoi Angellovski.
Në ndërkohë, autoritetet kanë bërë disa herë thirrje që qytetarët të mos dalin pa nevojë, sidomos ata që kanë probleme respiratore, për shkak të ndotjes së ajrit si pasojë e zjarrit në objektet e “Makedonija Tabak” dhe “Pofix” në Tetovë.
Tre raste me asfiksime dhe një person e ka lënduar gjurin
Mjeku i Urgjencës, Gazmend Ibishi deklaroi se nga zjarri ka pasur 4 persona të lënduar, tre prej tyre kanë qenë raste të asfiksimit, ndërkaq njëri dyshohet ta ketë thyer gjurin, megjithatë, gjendja e tyre është stabile.
“Ndihma e Shpejtë është në gatishmëri për pacientët, deri tani kemi pasur tre raste me asfiksime që kanë humbur pak oksigjenit, nuk kanë qenë të rëndë, vetëm i kemi transportuar deri në Repartin e Internos. Personat kanë qenë civil që kanë dhënë ndihmë vullnetare edhe një me lëndim që është lënduar me mjetet e transportit, ai është transportuar për në ortopedi, dyshohet për thyerje të gjurit. Gjendja e pacientëve është stabile, janë jashtë rrezikut për jetë”, thotë Ibishi.
Ai apeloi që të gjithë të largohen sa më larg vendit që ka shpërthyer zjarrit për shkak të ndotjes së ajrit.
“Dioksidi i karbonit është shumë më i rrezikshëm dhe shumë më shpejt depërton në mushkëri se sa oksigjeni, prandaj edhe afiniteti i marrjes së dioksidit të karbonit është shumë i shpejtë dhe më i rrezikshëm për mushkëritë. Sa më larg të rrinë të gjithë prej këtyre ambienteve”, tha Ibishi.
Nga SPB Tetovë apelojnë që qytetarët me probleme respiratore të mos dalin jashtë pasi që nuk dihet nëse materialet që digjen janë të dëmshme.
“Rreth orës 09:30 është lajmuar se në një fabrikë për prodhimin e izolimeve, stirodulit dhe stiropolit, afër monopolit, te rruga “Iliria” ka shpërthyer zjarr. Momentalisht nuk ka informata për të lënduar. Apelojmë që qytetarët që kanë problem me frymëmarrje dhe organet respiratore të mos dalin pa nevojë jashtë sepse ende nuk dihet se sa mund të jetë i dëmshëm djegia e këtyre materialeve”, tha për Portalb.mk zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Është ndërprerë mësimi në Tetovë për shkak ndotjes së ajrit nga zjarri
Kryetari i Këshillit të Komunës, Besar Durmishi njoftoi se nuk ka viktima nga zjarri, por vetëm dëme materiale. Gjithashtu edhe ai apeloi deri te qytetarët që të mos dilet pa nevojë për shkak të ajrit të ndotur.
“Jemi prezent në këtë situatë, zjarrfikësit janë duke punuar për shuarjen e zjarrit, kemi kërkuar menjëherë ndihmë nga Komuna e Gostivarit dhe Qyteti i Shkupit, gjithashtu kemi kërkuar që të angazhohen helikopterë në fikjen e zjarrit për arsye se siç e shihni edhe vetë është e pamjaftueshme që kamionët të arrijnë ta shuajnë zjarrin. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza kemi marrë përgjigje pozitive dhe në çdo moment presim që të vijnë. Nga sektori arsimit është dhënë urdhër që shkollat fillore, të mesme dhe çerdhet të lirohen nga procesi edukativo arsimor për arsye të ajrit tepër të ndotur. Apeloj deri te qytetarët të cilët nuk kanë ndonjë punë të qëndrojnë brenda në shtëpi, ë mos dalin jashtë, ata që kanë punë të vendosin maska”, tha Durmishi.
Qendra për Menaxhim me Kriza: Me helikopter do ta parandalojmë shpërndarjen e zjarrit
Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov ka arritur në Tetovë dhe informoi se helikopteri nga MPB do të mundohet ta parandalojë shpërndarjen e zjarrit.
“Bëhet fjalë për zjarr në këtë fabrikë për gips-kartonë dhe gjëra tjera, për momentin punojmë në detektimin nëse ekziston rrezik në ajër, gjegjësisht, nëse ka gazra helmuese dhe çfarë. Gjendja për momentin nga aspekti i gazrave helmues, sipas informatave që i kam nuk është alarmante. Ka nivel të rritur të grimcave PM, të cilët për momentin janë të ngritura lartë, por më vonë do të bien. Po mundohemi ta vendosim zjarrin në kontroll, për momentin do të vijë helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme, problemi është fikja me ujë e zjarrit të këtillë nga ajri, mund të shkaktojë shpërndarje të zjarrit. Për këtë arsye kërkuam që uji të hidhet në linjën e zjarrit, të mos hidhet në pjesën e pasme ku kemi edhe enë me materie eksplozive. Apeloj deri te të gjithë të pranishmit të largoheni nga ky vendi derisa nuk vendoset kontrolli i plotë”, tha Angellov.
Qytetari: Brenda digjej stiorpori
Hekuran Xheladini, një profesor i edukatës fizike, ka qenë në qytet kur ka shpërthyer zjarri dhe siç deklaroi ai, pasi e ka pa tymin, ka shkuar për të ndihmuar. Ai madje deklaroi se ka hyrë dhe brenda dhe ka parë duke u djegur stiroporet, por për shkak se zjarri ka qenë i madh nuk ka pasur mundësi për t’u fikur.
“Kur e pash tymin që dilte u afruam me shpejtësi që të japim një ndihmë si qytetarë bashkërisht u futëm në disa raste edhe brenda. Pamë që me të madhe është duke u djegur gjithçka brenda, d.m.th. stiroporet që përmbajnë materiale kimike. Ishte e pamundur që të arrijmë ta ndalim zjarrin. Por, me ndihmën e zjarrfikësve, të gjitha kompanive private të cilat me gjithë mekanizmat e vet arritën që deri në këtë moment ta shuajnë pak zjarrin. Për fat të mirë është që nuk ka viktima. Ka vetëm dëme materiale, ashtu siç e shihni. Dhashtë Zoti mbyllet me kaq, shyqyr që nuk u përhap zjarri, u lokalizua, përafërsisht është nga fundi. Unë mbërrita në ora 09:15, por zjarri është përhapur më herët. Kishte persona, të gjithë personat e ndërmarrjes Pofix ishin brenda. Është depoja, shihet, me siguri është ku bëhet prodhimi i stiroporit”, tha qytetari Xheladini.
Reporteri i Portalb.mk, ju sjell pamje nga vendi i ngjarjes: