Ballina Argëtim Kuriozitete Çfarë fshihet brenda piramidave të lashta Maja?

Çfarë fshihet brenda piramidave të lashta Maja?

Majat e lashtë ndërtuan qindra piramida në të gjithë Mesoamerikën, nga rreth vitit 1000 Para Krishtit deri në vitin 1500 Pas Krishtit, duke vendosur brenda tyre një shumëllojshmëri të madhe objektesh. Por çfarë ishin këto objekte?

Ashtu si piramidat e Egjiptit të lashtë, edhe ato të ndërtuara nga Majat përmbanin thesare dhe varreza me shumë pasuri të vendosura pranë eshtrave të të ndjerit. Por shpeshherë ato përmbanin edhe objekte më të çuditshme, si për shembull piramida më të vogla brenda piramidave më të mëdha.

Për shembull, piramida e “El Castillo”, në Çiçen Ica në Gadishullin Jukatan, përmban një piramidë brenda një piramide brenda një piramide, tamam si kukullat ruse, matrioshkat.

“Kur mbërrinin në një vend të banuar dhe më pas të braktisur, banorët e lashtë të Gadishullit Jukatan, nuk i shkatërronin strukturat e vjetra”- thotë Andres Tehero-Andrade, profesor në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikës (UNAM) i cili ka studiuar dhe shkruar gjerësisht për “El Castillo”.

Ata ndërtonin një strukturë të re mbi aktualen, dhe kjo sipas tij ishte edhe arsyeja pse “El Castillo” ka këtë strukturë si kukullat e famshme ruse. Por kjo praktikë nuk ishte unike për “El Castillo”.  Edhe piramidat e tjera Maja dhe jo Maja kanë këtë lloj strukture, thotë Denisa Lorenia Argote Espino,  studiuese në Institutin Kombëtar të Antropologjisë dhe Historisë të Meksikës (INAH).

Espino thekson se ndërtimi i një piramide në majë të një piramide tjetër “ishte një praktikë e zakonshme në kohët parahispanike (pra para mbërritjes së spanjollëve), dhe se “strukturat kryesore në vendbanimet e banuara prej kohe të gjatë, kanë zakonisht disa faza ndërtimore”.

Gjithsesi, piramida të tilla nuk janë gjërat më të zakonshme që gjejnë arkeologët në piramidat Maja. Ndërsa disa tempuj Maja përdoreshin për rituale, të tjerët shërbenin si varre për sundimtarët ose personat e tjerë që i përkisnin elitës. Këto varrime përmbanin objekte të tilla si maska nefriti (për të ndjerin), rruaza nefriti, maja të mprehta obsidiani, dhe bishtin  kockor të një peshku, të cilat ishin simbol i vetëflijimit për Majat e lashtë.

Këto të fundit lidheshin me praktikat vetëflijuese, pasi ndonjëherë ato vendoseshin nëpër veshë, faqe, buzëve, gjuhë dhe penis, dhe gjaku që dilte përdorej për të lyer me të statujat e hyjnive.  Majat e lashta i vlerësonin objektet e bëra nga lëkurat.

Një nga shembujt më të famshëm është një fron i bërë me lëkurën e jaguarit, i gjetur në piramidën “El Castillo”. “Maja klasike e vlerësonin lëkurën e jaguarit për vlerën dhe bukurinë e tij, por edhe si diçka me rëndësi të madhe simbolike”– shkroi Karl Taube, profesor antropologjie në Universitetin e Kalifornisë në një artikull të vitit 2005, të botuar në revistën “Ancient Mesoamerica”.

Ai shtoi se nefriti ishte një komponent i rëndësishëm i riteve funerale, dhe i ritualit të thirrjes së Perëndive dhe paraardhësve të vdekur. Piramidat Maja përmbanin shumë objekte të tjera të jashtëzakonshme. Për shembull, një piramidë në San Bartolo, Guatemalën Veriore, përmban një fragment të atij që mund të jetë kalendari më i hershëm i Majave i gjetur ndonjëherë, dheqë daton më shumë se 2200 vjet më parë.

Një piramidë në Çopan, Honduras, ka një mbishkrim të madh, i cili përmban më shumë se 2000 glife Maja të gdhendura në shkallët e saj. Mbishkrimi tregon historinë e sundimtarëve Çopan. Majat përdornin një sistem shkrimi, që nganjëherë quhet “hieroglif i majave”. Ky sistem shkrimi ka glife, të cilat përfaqësojnë tinguj që formojnë fjalë që studiuesit mund t’i lexojnë dhe përkthejnë. / LiveScience