Ballina Shëndeti Do të habiteni nga temperaturat që mund të përballojë truri i njeriut

Do të habiteni nga temperaturat që mund të përballojë truri i njeriut

Njerëzit mund të jenë më “kokëfortë” nga sa mendojmë. Gjatë një studimi të fundit, shkencëtarët ishin në gjendje të krijonin hartat e para të temperaturave të trurit të njerëzve të shëndetshëm. Ata zbuluan se temperatura e trurit ndryshon gjerësisht, në varësi të shumë faktorëve, si periudha e ditës dhe rajoni i trurit.

Por zakonisht, truri është më i ngrohtë sesa pjesa tjetër e trupit tonë. Studimi u krye kryesisht nga studiues në Laboratorin e Këshillit të Kërkimeve Mjekësore (MRC) për Biologjinë Molekulare në Britaninë e Madhe. Ata analizuan të dhënat e temperaturës së trurit tek dy grupe njerëzish:pacientët e shtruar në repartet e kujdesit intensiv, të cilëve iu ishte skanuar truri si pjesë e një projekti të mëparshëm që studionte lëndimet traumatike të trurit; dhe vullnetarëve të shëndetshëm, që u regjistruan në këtë studim për t’iu nënshtruar skanimit të trurit.

Njerëzve në të dyja grupet iu mat temperatura 3 herë gjatë një dite:në mëngjes, pasdite dhe në mbrëmje. Në përgjithësi, temperatura mesatare e trurit për të dyja grupet ishte rreth 38.5 gradë Celsius, pra më e lartë sesa temperatura e matur me termometër nëpërmjet gojës.

Por tek leximet kishte shumë ndryshueshmëri. Kështu temperatura e trurit të njerëzve ishte zakonisht më e ulët gjatë natës, dhe më e lartë në rajonet më të thella të trurit, sesa afër sipërfaqes. Gratë dhe të moshuarit, priren të kenë temperatura më të larta. Gjetjet e ekipit janë publikuar në revistën “Brain”.

Studime të tjera kanë treguar se temperatura e trupit tonë, nuk është dhe aq statike sa supozojnë zakonisht njerëzit. Ajo varion shpeshherë nga standardi i supozuar prej 36 gradë Celcius. Por shumica e njohurive tona mbi temperaturën e trurit, vjen nga studimi i njerëzve në spital, pasi është shumë më e lehtë që t’i monitorosh njerëzit në mënyrë të vazhdueshme.

Teknikat më të fundit, e kanë bërë shumë më të lehtë matjen jo-invazive të temperaturës së trurit, dhe duke i përdorur këto gjetje, ekipi ishte në gjendje të prodhonte një hartë 4 D të temperaturës (pra që tregon ndryshimet në hapësirë dhe kohë) të trurit të shëndetshëm, të cilin ata e kanë quajtur HEATËAVE.

Këto gjetjet duhen të verifikohen edhe nga studiues të tjerë, por ato mund të kenë ndikime të rëndësishme në mjekësi. Së pari, është supozuar prej kohësh se pasja e një truri me temperaturë të lartë, mund të rritë në përgjithësi rrezikun e komplikimeve serioze. Por në një tru të shëndetshëm, ekipi vuri re se temperaturat mund të arrinin deri në 40.5 gradë Celcius pa probleme të dukshme.

Madje edhe tek pacientët që ishin në gjendje kritike për jetën, ekipi nuk gjeti një lidhje të qartë midis temperaturës më të lartë të trurit, dhe gjasave të tyre për të mbijetuar. Ajo që dukej të ishte më parashikuese për mbijetesën e tyre, ishte nëse temperatura e trurit të pacientit ndryshonte siç pritej gjatë ditës, pra me fjalë të tjera varet nga ritmi i tyre.

“Ne zbuluam se temperatura e trurit bie natën, para se të flini, dhe rritet gjatë ditës. Ka arsye të forta të besohet se ky ndryshim i përditshëm lidhet me shëndetin afatgjatë të trurit, diçka që shpresojmë ta hulumtojmë në të ardhmen”- tha autori kryesor i studimit Xhon O’Neil, drejtues i grupit në Laboratorin MRC për Biologjinë Molekulare. Nëse hipoteza e tyre rezulton e vërtetë, studiuesit thonë se mund të jetë e mundur të diagnostikohen më mirë çrregullimet e trurit nëpërmjet ndryshimit të temperaturës ose të përmirësohen trajtimet aktuale. /Bota.al/