Ballina Kronika Pengmarrja në Angli/ SPAK jep detaje nga rrëmbimi i shqiptarëve

Pengmarrja në Angli/ SPAK jep detaje nga rrëmbimi i shqiptarëve

Dy anëtarët e një bandë, njëri prej të cilëve shqiptar, u burgosën nga autoritetet britanike.

Andi Alushi, 27 vjeç nga Shqipëria, dhe Valdemaras Kasinskas, 39 vjeç, nga Lituania, në muajin maj mbajtën peng dy shqiptarë në një shtëpi në Sheffield, duke i trajtuar ata në mënyrë çnjerëzore.

Lidhur me këtë ngjarje reagoi edhe SPAK, që ka qenë pjesë e hetimeve.

Andi Alushi, i dënuar më parë për vrasje nga pakujdesia, është pjesë e një bande kanabisi në Angli. Alushi i akuzonte 2 shqiptarët se kishin dashur t’i prishnin magazinën e kanabisit.

Policia britanike gjeti prova që Alushi kishte kontaktuar me familjarët e dy shqiptarëve në Shqipëri, duke u kërkuar një shumë të madhe parash, në këmbim të lirimit të pengjeve.

Dy shqiptarët e marrë peng u filmuan duke ngrënë nga tasat e qenve gjatë kalvarit të tyre 10-ditor ku u mbajtën peng.

Hetimi nisi pasi Kasinkas i tregoi videot e dhunës një personi, duke i thënë se do shokohej nga ajo që do shihte. Por personi që pa videot, një lituanez, e raportoi çështjen te policia.

Detaje nga SPAK:

Më datë 14 maj 2022, oficerët e policisë së Mbretërisë së Bashkuar kanë ushtruar kontroll në një banesë në Sheffield, ku kanë gjetur të lidhur me zinxhirë te radiatorët në dhoma gjumi të veçanta shtetasit shqiptarë E. R. dhe O. L., të cilët ishin rrëmbyer dhe keqtrajtuar fizikisht, si dhe janë arrestuar shtetasi shqiptar Andi Alushi dhe shtetasi lituanez Valdemaras Kasinskas.

Në lidhje me këtë fakt penal, nga Prokuroria e Specializuar në Njësinë e Çështjeve Komplekse të Yorkshire dhe Humberside të Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës të Anglisë dhe Uellsit, janë zhvilluar hetime në kuadër të “Operacioni Lakeside Kilo”.

Pas shkëmbimit të informacionit ndërmjet autoriteteve policore të Mbretërisë së Bashkuar dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në lidhje me këtë fakt, është regjistruar proçedimi penal, për veprat penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, i kryer kundër disa personave në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 109/3 e 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në përputhje me nenin 20 të Protokollit të Dytë Shtesë të Konventës Evropiane për Ndihmën e Ndërsjellë në Çështjet Penale të datës 20 Prill 1959, gjatë muajit gusht 2022 është krijuar një Skuadër e Përbashkët Hetimore për hetimin e këtyre çështjeve. Pjesë e Skuadrës së Përbashkët hetimore nga Mbretëria e Bashkuar janë Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës dhe Shërbimi i Policisë së Yorkshire të Jugut, ndërsa nga Shqipëria janë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit, si dhe oficerë të shërbimit të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Gjatë muajit shtator 2022 pjesëtarë të Skuadrës së Përbashkët Hetimore nga Shërbimi i Policisë së Yorkshire të Jugut kanë ardhur në Shqipëri, ku në bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerë të shërbimit të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë kryer veprime të shumta hetimore, në kuadër të hetimeve paralele që po zhvilloheshin si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu dhe në Shqipëri.

Në vazhdim të hetimeve të përbashkëta në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuara, janë dërguar në gjykim të pandehurit Andi Alushi dhe Valdemaras Kasinskas. Pas deklarimit fajtor nga Gjykata e Kurorës në Shefielld, të pandehurit Andi Alushi dhe Valdemaras Kasinkas, më datë 03 janar 2023 janë dënuar për veprat penale të kryera prej tyre me nga 19 vjet e 6 muaj burgim.

Në bashkëpunim me autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar hetimet vazhdojnë për zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.