Akuzat e korrupsionit ndaj zv. Presdientes së PE, Eva Kaili në përfitim të Katarit, ndodhën në një kohë kur Evropa po mbështetej te vendi i vogël arab për furnizime të ardhshme me gaz. Prandaj Doha thotë se nuk do t’i marrë lehtësisht ato.
Katari shfaqet si një vend me më shumë besim pas organizimit të Kupës së Botës në fund të vitit që shkoi .
Dhe megjithë zhurmat e mëparshme të skandaleve të korrupsionit apo abuzimeve me të drejtat e njeriut, vendi është konsideruar në dukje i suksesshëm pas eventit madhor sportiv.
Por siç u pretendua pas disa bastisjeve të policisë belge dhe disa arrestimeve mes të cilave dhe zv. Kryetaren e PE, Eva Kaili, vendi kishte paguar rryshfet për të siguruar mbajtjen e kampionatit.
Katari ka refuzuar akuzat dhe thotë se po shënjestrohet në mënyrë të padrejtë.
Rrjeti Euro News citonte sot një zyrtar të Katarit të thoshte se kufizimet e vendosura të fundmi nga BE “do të kenë pasoja negative në bashkëpunimin global për energjinë e sigurinë”.
Katari po kërcënon Evropën për marrëveshjen e furnizimit me gaz, teksa llogaritet se zotëron disa nga rezervat më të mëdha në botë.
Evropa është duke kërkuar alternativa për zëvendësimin e gazit rus që prej konfliktit në Ukrainë dhe një marrëveshje është nënshkruar me Katarin, edhe pse e vogël.
Deri tani Katari vetëm duket se ka kërcënuar pa vepruar teksa ekspertët thonë se gjithçka do të varet nga ajo që do të zbulojnë hetimet ndaj të arrestuarve të PE për korrupsion me Katarin.