Ka ndërruar jetë pacienti që ishte në gjendjen më të rëndë me sëmundjen fibrozë cistike, Bllagojçe Ilievski. Lajmi është konfirmuar nga Shoqata për fibrozë cistike. Ndërkohë i pyetur për përgjegjësi rreth vdekjes së këtij pacienti, kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha:
“Sot në mëngjes kam biseduar me ministrin e Shëndetësisë dhe i kam thënë se kjo situatë është e papranueshme, kam biseduar edhe me drejtorinë Fondit Për Sigurim Shëndetësor, kam biseduar edhe me ministrin e Financave dhe ato ishin bisedimet e para që i kisha. I kam lutur, posaçërisht ministrin e Shëndetësisë që të mendoj dhe të më tregoj se a mund ta vazhdoj mandatin e tij. Unë vendimin tim për çështjet kadrovike do ta sjell pas asaj”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Nga ana tjetër nga Ministria e Shëndetësisë thonë se me kohë kanë raportuar dhe kërkuar ndihmë nga Qeveria për pacientët me fibrozë cistike.
“Ministria e Shëndetësisë nuk do të ishte institucioni më përgjegjës për këtë rast, duke marrë parasysh se ne me kohë kemi raportuar dhe kemi kërkuar ndihmë nga Qeveria dhe Ministria e Financave”, kështu u përgjigj sot ministri Bekim Sali në pyetjen nëse ndjehet përgjegjës për vdekjen e Bllagojçe Ilievski, 45-vjeçari i sëmurë me fibrozë cistike, i cili gjithashtu kërkonte ilaçin Trikafta.
Ndryshe tashmë i ndjeri Ilievski më herët në një intervistë kishte deklaruar se shpreson që do të jetë në mesin e tetë pacientëve të parë që do ta merr ilaçin kundër kësaj sëmundje të rrallë./Alsat