Ballina Aktualitet Antibixhozi: Objektet e lojërave të fatit duhet të mbyllen si në Shqipëri...

Antibixhozi: Objektet e lojërave të fatit duhet të mbyllen si në Shqipëri dhe Kosovë (VIDEO)

Lëvizja Antibixhoz ka reaguar sot në lidhje me pakënaqësitë e Asociacionit të Punonjësve të Lojërave të Fatit të Maqedonisë së Veriut, në lidhje me propozim ndryshimet e fundit ligjore për Lojërat e Fatit. Nga kjo lëvizje thonë se për herë të parë në shtatë vite janë në të njëjtën rrugë me Asociacionin e Bastoreve, por siç shprehen, në drejtime të kundërta. Ata kërkuan mbyllje të këtyre objekteve, shkruan Portalb.mk.

Lëvizja Antibixhoz e vlerëson pozitivisht vendimin e Qeverisë së RMV-së që objektet në të cilat organizohen lojrat e fatit të jenë në distancë jo më pak se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme.

“Rikujtojmë se kërkesa e Lëvizjes Antibixhoz e dalë nga protesta e popullit është e pandryshuar, dislokimi 3 km larg vendeve të banuara ndërsa nga vrasja e dy të rinjve në Vizbeg kërkojmë mbyllje totale sikur në Shqipëri dhe Kosovë, deri në sjelljen e një ligji që mbron qytetarin edhe ashtu të lodhur nga gjendja ekonomike. Pyesim, ku ngelin çerdhet, institucionet publike, si do mbrohen qendrat e qyteteve, vallë pranë objekteve fetare dhe institucioneve tjera do lejohen objektet tjera të kumarit, kërkojmë që me këtë ligj të përfshihen edhe këto institucione me interes publik”, tha Jushi Emërllahu.

“Qëndrimi jonë i fundit është mbyllja si në Shqipëri dhe Kosovë”, tha Nuhi Ganija.

“Gjithsesi që ne do të jemi prezent gjatë realizimit edhe aplikimit të ligjit, pasi deri tash nuk ka pasur asnjë lloj distance në ligjin për lojërat e fatit. Do të ndjekim mënyrën se si do të realizohet e njëjta”, tha Xhemal Abdiu.

Për dallim nga Lëvizja Antibixhoz, të pakënaqur me këtë vendim të Qeverisë dolën nga Asociacioni i Punonjësve të Lojërave të Fatit sipas të cilëve Qeveria më këtë vendim do të lë pa punë dhjetë mijë punëtorë, ndërsa sipas tyre, do të rritet organizimi i lojërave të fatit në të zezë ndërsa do të varfërojë buxhetin e shtetit me 280 milionë euro në vit.

Për këtë, nga Antibixhozi thanë se për here të parë në këto shtatë vite janë me një rrugë me Asociacionin e Bastoreve, mirëpo në drejtime të kundërta.

“Edhe ato nuk pajtohen edhe ne nuk pajtohemi. Mirëpo, ne mund të themi vetëm diçka, kërkojmë mbyllje si në Shqipëri dhe Kosovë, atje shumë lehtë u zgjidh problemi i të punësuarve nëpër ato objekte të lojërave të fatit”, tha Xhemal Abdiu.

Qeveria para dy ditësh konfirmoi Propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për lojërat e fatit dhe për lojërat zbavitëse të propozuar nga Ministria e Financave, ku parashihet që hapësirat afariste, gjegjësisht vendet për pagesë në të cilat organizohen lojërat e fatit të jenë në largësi jo më pak se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme.

Midis qëllimeve të ndryshimeve të propozuara, nga Qeveria potencuan edhe në nevojën për përforcim të dëshmive të nevojshme për dhënie të licencave, si dhe saktësim të asaj se një shoqatë tregtare me një licencë organizon një lloj të lojërave të fatit. Me Propozim-ligjin rriten edhe kompensimet për dhënie të licencave për lojëra të fatit.

Në Maqedoninë e Veriut, mbetet që deputetët të vendosin nëse dhe çfarë masash kufizuese do të vendosin për organizatorët e lojërave të fatit, duke marrë parasysh faktin se janë propozuar dy tekste të ndryshme për ndryshime dhe plotësime të ligjit aktual.

Deputetët duhet të vendosin edhe për atë se edhe për masën kufizuese në lidhje me numrin dhe lokacionet në të cilat kazinotë dhe bastoret në Maqedoninë e Veriut do funksionojnë pa probleme.

Në vend disa herë gjatë viteve të kaluara nëpër qytete janë mbajtur protesta kundër hapjes së kazinove dhe bastoreve, me theks të veçantë në Tetovë nga lëvizja Antibixhoz të cilët dhjetorin e kaluar njoftuan për organizim të referendumit lokal për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, në përkrahjte të të cilit doi edhe Komuna e Tetovës.

@tn.lajmelokale
@tetovanews