Në Antakja, në jug të Turqisë, në varrezat ekzistuese nuk ka më hapësira për të varrosur viktimat e tërmetit të 6 shkurtit. Autoriteteve u është bërë thirrje që të krijojnë varreza të reja, për të mundësuar varrimin e tyre.
“Ajo që shihni pas meje është një nga vendet e siguruara nga qeveria vendore këtu në Antakja, ku njerëzit mund të varrosin familjarët e vdekur. Nuk ka mjaftueshëm hapësirë në varrezat e qytetit për numrin e trupave të pajetë që nxirren nga godinat e shembura. Ndaj vende si ky po hapen në pjesë të ndryshme të qytetit.
Ne kemi qenë atje, por autoritetet na kërkuan të mos filmonim, për t’i dhënë familjeve një copëz privatësie. Ata thanë gjithashtu se trupat që po vijnë këtu po identifikohen, po i nënshtrohen një procesi, kampione ADN-je po merren, ndaj të gjithë trupat po llogariten dhe njerëzit do ta dinë se ku janë varrosur të dashurit e tyre.
Përtej këtij procesi ka edhe një shqetësim tjetër për autoritetet, të mbajnë gjallë të mbijetuarit. Kjo është një tjetër sfidë madhore pasi këta njerëz janë të ekspozuar ndaj një seri rreziqesh.
Kolera po përhapet me shpejtësi, sipas një doktori me të cilin ne folëm këtu në Antakja dhe njerëzit po flenë me vështirësi në makinat e tyre, në tenda, por edhe në ambient të hapur, me natën që është shumë e ftohtë.
Autoritetet janë të vetëdijshme se kjo është një garë me kohën për të varrosur të vdekurit, por dhe për të mbajtur gjallë të mbijetuarit”, raportoi Anelise Borges nga Euronews.