Ashtu sikurse shumica e dikastereve të kësaj Qeverie që funksionojnë në këmbë të qelqta, edhe shëndetësia, si duket mezi po mbahet. Rasti i fundit i sulmit të hakerëve në fondin e shëndetësisë, la pa rroga dhjetëra mjekë dhe punonjës shëndetësor. Kjo krejtësisht për pasojë të pa aftësisë së kësaj Qeverie, për ti menaxhuar institucionet e veta, thuhet në kumtesën e Lëvizjes Besa.
“Sulmet nga hakerët nuk janë risi, ato kanë filluar vite më parë, por ashtu sikurse shumicën e punëve që kjo Qeveri e të paditurve nuk mundi t`i zgjidh në kohë, edhe në shëndetësi bëri që mjekë e pu8nonjës shëndetësor, të mbeten pa pagat e tyre, vetëm sepse Qeveria, edhe përkundër paralajmërimeve të shumta, asnjëherë nuk ndërmori masat
preventive për mbrojtje nga sulmet kibernetike. Alarmet nga faktori ndërkombëtar ishin të shumta, sidomos, pas sulmeve të ndodhura në Shqipëri, por edhe në vendin tonë, fillimisht me Ministrinë e punëve të Brendshme, pastaj sulmet e hakerëve në ueb faqet e ministrive, e gjetiu, e kjo Qeveri, nga pa aftësia që ka, asnjëherë nuk u ngrit për të marrë masa për mbrojtjen e kësaj popullate por edhe punonjësve të saj dhe institucioneve.
Protesta e paralajmëruar e mjekëve dhe punonjësve të shëndetësisë, për mos pagesën e pagave të tyre, nuk do e vetëdijsojë këtë Qeveri. Ashtu sikurse nuk çajtën kokën për shumë protesta të tjera që të zgjidhin problemet, por vetëm se do dalin, ashtu si përherë do arsyetohen dhe do premtojnë. Kjo ka qenë është dhe do të jetë terku i kësaj Qeverie,
premtimet boshe dhe pasurimi i vetes në kurriz të popullit. E që kjo pa aftësi e Qeverisë të jetë edhe më e madhe, përveç që nuk zgjidhin në kohë hallin e mjekëve, askush as nga Fondi shëndetësor e as nga Qeveria e të pa aftëve, nuk del që të sqaroj se çka do ndodh me mjekët, në këtë kohë krize e të kredive, kur mezi presin që të marrin pagat për ti shlyer pagesat nga Qeverisë.”, thonë nga Lëvizja Besa.
Sipas tyre në vend që sqarime të jepen nga Fondi i shëndetësisë, ditë më parë sqarime boshe u dhanë nga Ministri i punëve të brendshme Spasovski, i cili, ashtu sikurse për bombat nëpër shkolla që nuk i zgjidhi asnjëherë, por vetëm premtoi se po kryhen hetime, edhe për këtë rast siç theksojnë nga Besa premtoi “hetime të shpejta” e të cilat, sipas përvojës që kemi, e shohim se, këto hetime të shpejta të MPB-së, jo rrallë zgjasin me vite të tëra, që në fund të thonë se, çështja mbetet e pa zgjidhur.