Komuna e Tetovës, në nderim të luftës së Kosovës dhe sakrificës heroike të familjes Jashari për herë të parë organizoi Akademinë përkujtimore “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Në këtë ngjarje të jashtëzakonshme kombëtare të pranishëm ishin z. Lulzim Jashari, djali i komandantit legjendar Adem Jashari, Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës z. Glauk Konjufca, historiani Prof. Dr. Hakif Bajrami, si dhe studiuesi Elvis Hoxha.
Paraprakisht, Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në hapësirat e komunës ka pritur kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufcën, si pjesë e aktiviteteve në kuadër të Epopesë së UÇK-së. Pas takimit, të dy politikanët kanë pasur konferencë për media.
“Maqedonia e Veriut ishte ndër shtetet që e njohu Pavarësinë e Republikës sonë. Kjo na tregon që çlirimi i Kosovës, që e filloi Familja Jashari, kulmoi dhe u kurorëzua me lirinë e plotë të popullit të Kosovës dhe shpalljen e Pavarësisë nga popullit tonë. E pasojat pozitive mund t’i ndiejnë të gjithë edhe në rajonin e Ballkanit, sepse Pavarësia e Kosovës e stabilizoi Evropën, e stabilizoi Ballkanin, dhe ja tregoi vendin e vërtet Serbisë”, deklaroi Konjufca, duke krahasuar rajonin e viteve të 90-ta dhe rajonin sot.
Ai theksoi që lufta e Familjes Jashari ishte themeli i Pavarësisë së Kosovës, pas çlirimit nga okupatori serb. Konjufca gjithashtu theksoi edhe kontributin e ndërkombëtarëve në çlirimin e Kosovës.
“Sot kemi nderin dhe jemi të respektuar të kemi prezent Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën, përfaqësuesit nga Familja Jashari, djalin e komandantit Adem Jashari, Lulzim Jasharin, së bashku me mysafir dhe dashamir për nder të organizimit të Epopesë së UÇK-së, që organizohet për herë të parë nga Komuna e Tetovës. Me këtë, nuk vlerësojmë se nderojmë as Familjen Jashari e as Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por fillimisht nderojmë vetveten”, deklaroi Kasami.
Këtë 5, 6 dhe 7 mars shënohet 25 vjetori i rënies heroike të komandantit Adem Jasharit, familjes së tij në Prekaz të Drenicës.
Mesazhe me rastin e këtij 25 vjetori janë dërguar nga trojet shqiptare.
Ndryshe, që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari.
Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan.
Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.
Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.
Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.
Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës.