Shkon në 7 numri i viktimave nga aksidentet gjatë 48 orëve të fundit në rrugët e vendit. Përplasja e fundit u shënua në Dibër. Një mjet doli nga rruga dhe përfundoi në një përrua.
Në aksidentin në rrugën e fshatit Melan, humbi jetën 18-vjeçari Armend Spahiu, i cili ishte pasagjer në makinën që drejtohej nga 19-vjeçari Roni Kata. Ky i fundit është shoqëruar nga policia për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Para aksidentit në Dibër, humbën jetën edhe 6 qytetarë të tjerë në rrugët e vendit. Aksidenti më tragjik ishte në unazën lindore në Tiranë ku humbën jetën tre të rinj. Në Durrës një betoniere përplasi në mes të ditës një 71-vjeçar që po lëvizte me biçikletë, i cili ndërroi jetë në vendngjarje.
Një tjetër aksident me pasoja fatale u shënua edhe në Kavajë, ku 30-vjeçarja Rovena Cara, humbi kontrollin e automjetit që drejtonte dhe përfundoi në kanal. Si pasojë e plagëve të marra, ajo ndërroi jetë pa iu dhënë mundësia të dërgohet në spital.
Në një tjetër aksident në segmentin Korçë-Pogradec në afërsi të fshatit Lumalas humbi jetën një këmbësor që u përplas nga një automjet. Disa aksidente të tjera me të plagosur i shtohen këtij bilanci.
Për periudhën Janar-Shkurt në të gjitha rrugët e vendit janë shkaktuar 451 aksidente rrugore, numër më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
E kthyer në një praktikë tashmë, pas aksidenteve të rënda, policia nisi një fushatë kontrollesh që brenda 12 orëve prodhuan, pezullimin e 53 lejeve të drejtimit, dhe ndëshkimin e 122 drejtuesve të mjeteve për shpejtësi tej normave të lejuara. Gjithashtu u vendosën 87 gjoba për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit. 106 për mosvendosje të rripit të sigurimit.
Masa ndëshkuese pati edhe për manovra të gabuara dhe gara shpejtësie, konkretisht 11 të tilla dhe 23 masa administrative për mos vendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.