Ballina Sport Çmenduri arabe, Al Hilal 400 milionë euro për Mbappé e 300 për...

Çmenduri arabe, Al Hilal 400 milionë euro për Mbappé e 300 për PSG: ka një klauzolë pro-Real

Arabia Saudite po çmend merkaton me shifra të pamenduara, edhe pse më e mira duket se nuk ka ardhur ende. Pikërisht kështu, sepse Al Hilal, klubi që tashmë ka nënshkruar me Koulibaly dhe Milinkoviç-Savic dëshiron të bëjë gjëra të mëdha. Arabët duan të marrin edhe Kylian Mbappé, fenomenin francez që PSG duket se është bindur ta shesë pas dështimit për të rinovuar kontratën që skadon më 30 qershor 2024.

Al Hilal kërkon të jetë bindës me lojtarin dhe klubin francez. Në tavolinë ata kanë vënë edhe një ofertë stratosferike për PSG: 300 milionë euro. Një shumë rekord për atë që do të ishte transferimi më i shtrenjtë në histori. Mbetet për tu kuptuar se si do të reagojë PSG, që mori disa ditë para se të shuajë dilemat. Natyrisht do të ishte një transferim i përkohshëm për francezin. Një vit në Arabinë Saudite dhe më pas kalimi te Real Madrid me të cilën Mbappé ka një marrëveshje prej kohësh.

SHIFRAT STRATOSFERIKE

Sipas RMC Sport, klubi arab i ka bërë një ofertë të bujshme sulmuesit francez. Mbappé jo vetëm do të fitonte 200 milionë euro, por do të mund të shkonte te Real Madrid sezonin e ardhshëm. Në fakt, Al Hilal ka gati 300 milionë euro për Paris Saint-Germain, që e ka përjashtuar lojtarin nga projekti teknik. Paga për sulmuesin është 400 milionë në total për dy sezone (pra 200 milionë në vit). Francezi do të ishte i lirë të shkonte te Blancos në 2024, falë një klauzole specifike që do të përfshihej në kontratë.

Më 31 korrik do të skadojë opsioni i rinovimit me PSG, që është në duart e Mbappé. Lojtari sidoqoftë i ka bërë të qarta synimet e tij: në asnjë rrethanë nuk do të ushtrojë klauzolën e rinovimit deri në vitin 2025. Ideja është që të shkojë menjëherë te Real Madrid. Por spanjollët nuk kanë ndërmend të paguajnë 200 milionët e kërkuara nga francezët. Pas 12 muajsh sulmuesi do të dalë me parametër zero e ndoshta një vit si sheik në Arabi mund të mos jetë variant i keq.

Natyrisht, Al-Khelaifi është në favor të arabëve, sepse oferta e Al Hilal mund t’i plotësojë dëshirat e të gjitha palëve. PSG do të merrte paratë e kërkuara. Lojtari do të fitonte një mal me para duke e ditur se mund të kthehej në Evropë që në vitin 2024. E Real Madrid pas një viti do të kishte sulmuesin që kanë ndjekur prej muajsh.