Ballina Aktualitet Lavrovi paralajmëroi se do të vijë në Samitin e OSBE-së në Shkup

Lavrovi paralajmëroi se do të vijë në Samitin e OSBE-së në Shkup

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov deklaroi se do të vijë në samitin e OSBE-së në Shkup nëse Bullgaria hap hapësirën e saj ajrore, duke shtuar se disa vende perëndimore kishin kërkuar të takoheshin me të, transmeton Portalb.mk.

“Bullgaria pretendohet se i ka premtuar Maqedonisë së Veriut se do të hapë hapësirën e saj ajrore. Nëse kjo ndodh, do të jemi në Shkup. Do ta shohim. Tashmë kemi disa kërkesa për takime, duke përfshirë edhe përfaqësuesit perëndimorë”, tha Lavrov në një konferencë për shtyp në Moskë.

Ai u takua me Sekretarin e Shtetit të SHBA Anthony Blinken në samitin e G20 vitin e kaluar.

“Nëse dikush na afrohet, ne kurrë nuk ikim apo fshihemi”, shtoi Lavrov.

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të OSBE-së do të mblidhen në një samit në Shkup më 30 nëntor dhe 1 dhjetor.

Bullgaria mbylli hapësirën e saj ajrore për avionët rusë si pjesë e sanksioneve evropiane kundër Rusisë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës.

Këshilli Ministror i OSBE-së është ngjarja më e madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia për vendin. Në Këshillin Ministror pritet të marrin pjesë 76 delegacione të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerëve, të përfaqësuar në nivel të ministrave të jashtëm ose më shumë se 1000 përfaqësues të delegacioneve.