Një ngjarje e rëndë është shënuar në qytetin e Pejës në Kosovë, ku një 23-vjeçare me origjinë nga Shqipëria është përdhunuar nga dy persona.
Nga informacionet e publikuara nga prokuroria e Kosovës bëhet me dije se e reja vuan nga probleme të shëndetit mendor. Në lidhje me rastin janë arrestuar dy persona.
“Dy persona janë arrestuar për veprën penale të dhunimit të 23 vjeçares nga Shqipëria”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Mediat kosovare kanë publikuar dhe inicialet e personave të ndaluar, Sh.B dhe I.G., njëri prej të cilëve raportohet se është babai i një ish-deputeti të Kuvendit të Kosovës.
Vajza dyshohet se shkoi me autobus nga Shqipëria në drejtim të Kosovës dhe u abuzua seksualisht në ambientet e një moteli.
Policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes, ku kanë sekuestruar dhe një autoveturë.
Vajza ishte raportuar e zhdukur nga familja, kur ajo u gjet në Pejë dhe iu nënshtrua ekzaminimive, ku u konstatua dhe abuzimi seksual.