Ish-futbollisti i kombëtares italiane dhe kampion bote në vitin 2006, Gianluca zambrotta, ka komentuar grupin e Euro 2024, ku të kaltërit e tij do të përballen me Shqipërinë.
Sipas tij, gjithçka mund të ndodhë në këtë grup shumë të vështirë, por shpreson që në fund të kualifikohet kombëtarja e tij dhe ajo e Shqipërisë.
Ditën e djeshme, kur ishte i ftuar special për të dorëzuar “Topin e Artë” të futbollit shqiptar, ish-mbrojtësi i Juventusit dhe i Milanit shprehu mendimin e tij para mediave.
“Një grup i bukur dhe një sfidë e bukur. Kjo pasi Shqipëria bëri një arritje të madhe duke u kualifikuar në Europian. Pastaj, Spanja, Kroacia dhe Italia, një grup aspak i lehtë për të gjithë. Një grup i vështirë, por të shohim se çfarë do të ndodhë. Mos harrojmë që Italia është kampione e Europës në fuqi. U kualifikua me disa vështirësi, por gjithsesi me meritë në një grup të fortë. Do të jetë e vështirë, por i ka të gjithë mundësitë.Sfida ndaj Shqipërisë do të jetë një ndeshje e bukur. Italia dhe Shqipëria prej shumë vitesh kanë një miqësi të madhe edheë në nivel futbollistik, pasi shumë futbollistë, të mëdhenj madje, luajnë në kampionatin italian dhe kanë bërë një perfromancë të shkëlqyer. Për këtë do të jetë një ndeshje e madhe.”
“Parashikimi? Të kualifikohen Italia dhe Shqipëria, më mirë kështu”, është shprehur Zambrotta.