Ballina Aktualitet I mbijetuari i masakrës së Reçakut: Si shpëtova falë shpërqendrimit të policit...

I mbijetuari i masakrës së Reçakut: Si shpëtova falë shpërqendrimit të policit serb

“Morën drunj i kanë rrah sa kanë pasur mundësi. Kemi qenë brenda në shtëpi dhe i kemi dëgjuar duke bërtitur. Ju thanë ‘ecni përpjetë, ikni’, po këta nuk e dinin që sipër ishin forcat serbe, këmbësoria, duke i pritur. Janë ngjitur sipër dhe kur kanë mbërri kanë rënë në pritë. Aty i kanë masakruar një nga një policia dhe ushtria serbe”, tregon Albert Imeri, i mbijetuar i masakrës së Reçakut.

Forcat policore-ushtarake serbe me numër të madh dhe armatim të rëndë zbarkuan mëngjesin e 15 janarit 1999 në fshatin Reçak.

Ata hynë në shtëpinë e Sadik Osmanit, aty ku ishin mbledhur fshatarët e mbetur ende në Reçak.

Burrat u urdhëruan të dalin në oborr ndaj të cilëve filloi dhuna e shfrenuar. Ajo çfarë do t’i priste më pas do të nxiste reagimin e botës demokratike dhe u quajt si masakra e Reçakut. Albert Imeri ishte vetëm 16-vjeç atë ditë dhe i fundit në mesin e meshkujve që u urdhëruan të dalin në oborr. Ai shfrytëzoi shpërqendrimin e policit serb dhe u fsheh në momentin e fundit. Atë e harruan dhe sot rrëfen atë që ndodhi 25 vite më parë.

“Kur u afrua tek unë, më thanë ‘çu edhe ti’, edhe kur jam dal jashtë, polici ka qenë para meje, e ky polic para meje vrapo për të goditur burrat e tjerë që ishin në oborr. Në atë moment jam kthyer sërish brenda, nuk kam bërë zë”, tregon Imeri.

24 burrat u urdhëruan të largohen në drejtim të kodrës. Pasi policia u largua Alberti, gratë e fëmijët e që mbetën në shtëpi u drejtuan më pas drejt një shtëpie tjetër të fshatit.

Sahide Metushi dhe Nazmi Imeri, ende dhe sit i zhdukur, ishin dy viktima e para që panë me sy rrugës. Ndërkohë një tjetër njësi policore ushtarake u kishte dalë në pritë burrave grupit të 24 burrave që u nisën në drejtim të kodrës.

Tmerri u mësua në orët e para të 16 janarit. Alberti me Enver Imerin dhe Adem Bajramin e shquan dramën e madhe më një dritë çakmaku.

“Kemi ardhur këtu ka qenë mëngjesi i 16 janarit, terr, me shkrepëse, djali i xhaxhit, Enveri, me radhë i kemi këqyr kufomat, me prek s’i kemi prek, por t’u këqyr kush e kush është i masakruar”, shprehet ai.

Alberti menjëherë fillon i identifikon të masakruarit në Kodrën e Bebushit.

“Unë kur kam ardhur me thënë drejtën jam tmerruar, kur i kam pa kufomat, se edhe ka qenë janari, ka qenë ftohtë, kufomat kanë qenë të ngrira, kur kom pa kushërinjtë e mi, kur kom pa edhe shokun Xheladin Jakupin, me të vërtetë jam tmerruar”, tha Imeri.

Njerëz pa koka dhe pa zemër ishin vetëm disa prej pamjeve që Alberti nuk do t’i harrojë kurrë.

“Kur kemi ardhur të gjithë ishin të prerë në trup, në pjesën e barkut, më vonë e kemi gjetur edhe Ragip Bajramin i cili nuk e ka pasue zemrën”. […] Ata as s’kanë qenë ushtarë, kanë qenë civilë, njerëz të thjesht, nuk kanë pasur të bëjnë me ushtri. Ka qenë masakër e tmerrshme, Serbia ka bërë gjenocid mbi civilët në Reçak”, shtoi ai.

Alberti, Ademi dhe Enveri takojnë vëzhguesit e parë të misionit të OSBE-së. Raportimi i menjëhershëm solli edhe ambasadorin William Walker në vendngjarje.

“Erdhi helikopteri prej Shtimës, tri herë u sill përmi kry neve, me thënë 40 metra mbi koka tona. Edhe atë ditë kemi shpëtuar falë OSBE-së, se atë ditë kanë ardh mi marr kufomat ushtria dhe policia serbe. Po për fat të mirë nuk mujten mi marr se mritjem para tyren i sollëm OSBE-në dhe helikopteri shkoi në drejtim të Shtimes”

Vetëm edhe pas vizitës së ambasadorit Walker, banorët i zhvendosen trupat në xhaminë e fshatit.

Pas rezistencës së Serbisë, varrimi u bë pothuajse një muaj më vonë. Dështimi i konferencës së Rambujesë çoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. 25 vite më pas, ajo çfarë kërkohet është drejtësia.

“Unë me të vërtetë jam i zhgënjyer shumë me drejtësinë. Shteti ynë shumë pak, jo pak por hiç, sa vite, asnjë nuk është i dënuar për krime lufte, për gjenocid në Reçak, asnjë serb, jo mu zhgënjey, hala në gjumë është shteti. Prokuroret nuk janë duke punuar hiç, dëshmi kemi, nëse është puna kemi dëshmi”, tha ai.

Serbia nuk ka reshtur së mohuari një krim për të cilin akuzohet. Deklaratat e tilla shtojnë dhimbjen e familjarëve por nuk zbehin krenarinë mbi Reçak.